Kryeministri Albin Kurti ka përjashtuar mundësinë e zgjatjes së afatit të 31 tetorit për konvertimin e targave ilegale, në ditën kur në Shtetet e Bashkuara është shprehur pritja për një zgjidhje brenda ditëve në vijim lidhur me çështjen. Qëndrimi i Qeverisë rreth afatit ka marrë mbështetjen e opozitës, ani se është kërkuar që çdo veprim të jetë në koordinim me Washingtonin zyrtar
Pritje që Kosova dhe Serbia t’ia gjejnë një zgjidhje çështjes së targave të veturave gjatë ditëve në vijim kanë shprehur të martën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka bërë të ditur se sekretari Antony Blinken u ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, angazhim për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Do të vazhdojmë që ta mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Do të vazhdojmë të jemi partnerë, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, me shpresën që vendet ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Price.
Nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë adresuar kërkesa që Qeveria e Kosovës ta shtyjë edhe për 10 muaj të tjerë afatin e 31 tetorit për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në ato RKS.
Kryeministri Kurti ndërkaq ka bërë të ditur se Qeveria i trajton me seriozitet kërkesat, porse afati nuk do të shtyhet, siç ka ndodhur në fundkorrik.
“Nuk mund të jemi të barabartë në Republikë nëse dikush ka targa RKS e dikush dëshiron që t’i mirëmbajë ato KM. Pra, nuk është as hakmarrje, as urrejtje, as inat, është zbatim i ligjit. Është rendi, janë vendimet qeveritare, të cilët nuk i diskriminojnë njerëzit në bazë të përkatësisë etnike, përkundrazi dëshirojnë që të gjithë ata t’i bëjnë të barabartë në Republikë”, ka thënë Kurti.
Kundër refuzimit të Kurtit për zgjatjen e afatit ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Popullin tonë e presin kohë të vështira dhe do të ishte çmenduri që të parashikonim diçka tani. Ne do të jemi me serbët në Kosovë, të cilët kanë treguar se nuk duan t’i dëgjojnë Kurtin apo të tjerët, por veten dhe ndërgjegjen e tyre. Duan që të respektohen të drejtat e tyre”, ka thënë Vuçiqi.
Qëndrimi i Kurtit ndërkaq është përkrahur nga opozita. Me gjithë mbështetjen, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike ka kërkuar që veprimet e Qeverisë të jenë në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
“Nuk mund të lejohet në pafundësi shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi, të cilin e ndërmerr Qeveria e Kosovës e që e respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, pa dyshim që do ta ketë përkrahjen e PDK-së”, është shprehur ai.
Serbët e Kosovës që posedojnë automjete të regjistruara nga autoritetet në Serbi kanë pasur dy muaj afat për ta bërë konvertimin e tyre në ato RKS.
Ndonëse kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në përfundimin e afatit të caktuar nga Qeveria, të dhënat më të fundit nga Ministria e Brendshme kanë treguar se vetëm 18 automjete deri më tani janë regjistruar me targa të Kosovës.