Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” është zotuar që t’i shqyrtojë mundësitë për zbutjen e reduktimeve të ujit. Ky qëndrim i menaxhmentit të kompanisë është shprehur një ditë pas protestës së banorëve të lagjes “Bajram Curri”, të cilët kësisoj kanë shpërfaqur pakënaqësinë rreth reduktimeve të gjata.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në KRU “Hidroregjioni Jugor”, Zenel Zenelaj, ka pohuar se ujësjellësi ka qenë i detyruar që të kalojë në fazën e reduktimeve në lagje të ndryshme të Prizrenit, si pasojë e rënies së burimeve ujore.
“Reduktimet po tentojmë në çdo mënyrë me qenë pak ma racionale, me qenë me kohë pak ma të shkurtër, mirëpo duke pasur parasysh kushtet dhe infrastrukturën nëntokësore dhe mënyrën e furnizimit që kemi të burimeve, jemi detyruar me këtë gjendje të reduktimeve me shku. Por pavarësisht prej kësaj jemi duke bërë çmos si ekip, si staf i ‘Hidoregjionit Jugor’ që reduktimet me qenë sa më të zbutura”, ka thënë Zenelaj.
Shkaku i reduktimeve të gjata të ujit, të hënën pasdite kanë protestuar para selisë së ujësjellësit banorët e lagjes “Bajram Curri”. Ata kanë kërkuar zbutjen e reduktimeve.
Edhe më herët ata kishin reaguar kundër orarit të reduktimeve, duke kërkuar trajtim të barabartë me lagjet e tjera, por që, sipas tyre, ende nuk është realizuar.
“Në mënyrë paqësore jemi duke lypur vetëm ujë që të ketë, reduktimet që të minimizohen. Se jemi të revoltuar, shumë jemi të revoltuar”, është shprehur Nderim Shala nga lagjja “Bajram Curri”. “Duhet sa më shpejt të bëhet zgjidhja për lagjen ‘Bajram Curri’, sepse që nga 15 nëntori lagjja ‘Bajram Curri’ është duke u diskriminuar. Lagjet e tjera kanë pasur rregullisht ujë, lagjja ‘Bajram Curri’ nga 12 orë s’ka pasë ujë”.
Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në nëntor të vitit të shkuar, duke publikuar orarin, pati njoftuar fillimin e aplikimit të reduktimeve në furnizimin me ujë të pijshëm në zonat urbane të Prizrenit, për shkak të zvogëlimit të kapaciteteve ujore në burime.