Arbëri

“Hidroregjioni jugor” alarmon - me vapën ka nisur të rritet edhe keqpërdorimi i ujit të pijshëm

Vapa që po mbretëron gjatë ditëve të fundit po ndikon në shtimin e shfrytëzimit të ujit të pijshëm nga ana e qytetarëve të rajonit të Prizrenit. Në një situatë të tillë kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni jugor” ka bërë thirrje që uji të shfrytëzohet nga konsumatorët vetëm për nevoja higjieno-sanitare. Sipas vlerësimit të kësaj kompanie, me rritjen e temperaturave ka filluar që të rritet edhe keqpërdorimi i ujit të pijshëm. Në të kundërtën ka paralajmëruar nisjen e reduktimeve.

“K.R.U. ‘Hidroregjioni jugor’ me njësitë punuese: Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Dragash u bën thirrje të gjithë konsumatorëve, të cilët furnizohen nga shërbimet tona, që uji të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale dhe ekskluzivisht për nevoja higjieno-sanitare e në asnjë mënyrë për destinime tjera, sepse me rritjen e temperaturës ka filluar që të rritet edhe keqpërdorimi i ujit të pijshëm dhe rrezikohemi që të aplikojmë reduktimet për furnizim të ujit të pijshëm”, thuhet në njoftimin e kompanisë së ujësjellësit.

Zyrtarët e kësaj kompanie publike kanë theksuar se në rast se vazhdon shfrytëzimi i ujit për ujitje apo destinime të tjera, atëherë do të aplikohen reduktime edhe më të ashpra.

“Ju bëjmë me dije se në qoftë se vazhdon ky trend i konsumit të ujit të pijshëm pa kritere, si për ujitje dhe destinime tjera, atëherë jemi të detyruar të aplikojmë reduktime edhe më të ashpra se këto të cilat po i publikojmë sot”, vazhdon njoftimi.

“Hidroregjioni jugor” gjithashtu ka bërë të ditur se në koordinim me Inspektoratin do të zbatojnë dispozitat ndëshkuese që përkufizohen me legjislacionin në fuqi. “Ekipet tona së bashku me Inspektoratin komunal do të jenë vazhdimisht në terren dhe aty ku hasin në keqpërdorim të ujit të pijshëm nga persona të papërgjegjshëm do të përballen me masa të rënda ndëshkimore konform ligjit”, thuhet në njoftim.

Për këto arsye është kërkuar që konsumatorët t’i respektojnë rekomandimet e kompanisë, sikurse edhe t’i kryejnë pagesat e faturave me rregull. “Në bazë të rrethanave të përshkruara më lart, kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni jugor” sh.a. Prizren, me njësitë punuese: Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Dragash u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të sillen konform rekomandimeve tona në lidhje me konsumin e ujit të pijshëm. Po ashtu iu bëjmë thirrje që pagesa e faturave mujore për konsum të ujit të bëhet me rregull”, përfundon njoftimi.

Sipas njoftimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës gjatë këtyre ditëve ka mbretëruar mot me diell dhe shumë i nxehtë si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa veriore e Afrikës. Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka rekomanduar qytetarët, sidomos të moshuarit, që mos t’u ekspozohen rrezeve direkte të diellit nga ora 9 deri në orën 17:00.