Arbëri

IKSHPK: Në disa rajone të Kosovës uji akoma i papijshëm

vershimet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar se në disa rajone të vendit uji është i papijshëm, pas turbullirave që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në javën që lamë pas.

Sa i përket rajonit të Prishtinës, IKSHPK-ja ka njoftuar se përveç në Vragoli dhe Miradi të Poshtme, uji është brenda standardeve të lejuara për konsum.

“Në fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj, Badoc dhe Batllavë. cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të lejuara. Në Drenas/Bivolak, fabrika aktualisht punon me kapacitet të zvogëluar, megjithatë cilësia e ujit mbetet brenda standardeve të lejuara për konsum. Në Lipjan dhe Kuzmin, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara. Në Vragoli dhe Miradi e Poshtme, uji nuk rekomandohet për pije”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së në Facebok.

Edhe në rajonin e Mitrovicës përfshirë dhe komunat veriore, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për konsum. Ndërsa në rajonin e Ferizajt, ujësjellësi qendror me burim në Dimcë të Hanit të Elezit, nuk rekomandohet për pije.

“Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, si dhe në komunat veriore cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara. Në qytetin e Ferizajt, cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm.Në Han të Elezit, ujësjellësi qendror me burim në Dimcë paraqet nivel të lartë turbullire; për këtë arsye, uji përdoret vetëm për nevoja teknike dhe nuk rekomandohet për pije. Në qytetin e Gjilanit, uji është brenda standardeve për konsum. Rezervuarët Prilepnicë dhe Bajë paraqesin parametra fiziko-kimikë brenda standardeve të parapara për ujë të pijshëm. Në Kamenicë dhe Viti, cilësia e ujit mbetet brenda standardeve të lejuara”, thuhet tutje.

As në Deçan e Junik, si dhe në disa pjesë të Gjakovës dhe gjithashtu edhe në Malishevë, aktualisht uji nuk rekomandohet për pije por vetëm për nevoja të tjera.

“Në Mbivada, për shkak të turbullirës së rritur, uji përdoret vetëm për nevoja teknike. Në Deçan dhe Klinë, për shkak të turbullirës së lartë, uji nuk rekomandohet për pije dhe përdoret vetëm për qëllime teknike. Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për konsum. Në lokalitetet Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë janë evidentuar vlera të rritura të turbullirës, prandaj uji nuk konsiderohet i pijshëm. Suharekë ende është problem furnizimi në fshatrat e përmbytura si Semetisht, Studençan dhe Nëpërbisht. Pjesa tjetër e furnizimit përmes KRU Hidroregjioni Jugur vijon normalisht. Në Malishevë, për shkak të rritjes së turbullirës, përdoret vetëm si ujë teknik dhe nuk rekomandohet për pije”, përfundohet në njoftimin e IKSHPK-së.