Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” të mërkurën ka njoftuar se do të fillojë aplikimin e reduktimeve në furnizimin me ujë të pijes në zonat urbane të Prizrenit. Sipas njoftimit të kësaj kompanie reduktimet do të zbatohen për shkak të zvogëlimit të kapaciteteve ujore në burime.
“K.R.U.“Hidroregjioni Jugor“ njofton konsumatorët se për shkak të kushteve të pavolitshme atmosferike që kanë mbretëruar për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë të mbretërojnë aktualisht, kemi zvogëlim të kapaciteteve ujore në burime të ujit mbi 50 % prandaj, jemi te detyruar në aplikimin e reduktimeve në zonat e qytetit të Prizrenit”, thuhet në komunikatën e “Hidroregjionit Jugor”.
Aty është paraqitur edhe orari i reduktimeve sipas lagjeve, me ç ‘rast theksohet se lagja “Bajram Curri” me zonat përreth do të kenë furnizim me ujë të pijes prej orës 06:00 deri në ora 20:00, derisa reduktimi do të aplikohet prej orës 20:00 deri në orën 06:00.
Ndërkaq për lagjet “Ralin”, “Lakuriq”, “Ortakoll” (pjesa e epërme), “Tabakhane” (pjesa e epërme), “Qylhani”, një pjesë e lagjes “Bazhdarhane” dhe sheshi “Mbretëresha Teutë” është shpjeguar se do të kenë furnizim të rregullt me ujë të pijes prej orës 20:00 deri në orën 06:00, derisa reduktimi do të aplikohet prej orës 06:00 deri në ora 20:00
Ndërsa në lagjen “Dardania” furnizimi jo i rregullt me ujë të pijes do të aplikohet prej orës 18:00 deri në orën 22:00.
“Kompania është dukë bërë përpjekje maksimale për optimalizimin e furnizimit për tejkalimin e gjendjes aktuale dhe me rastin e përmirësimit të kapaciteteve ujore do të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë”, thuhet në komunikatën e “Hidroregjionit Jugor”.
Kompania e ujësjellësit një njoftim të ngjashëm për orarin e reduktimeve të planifikuara e kishte publikuar edhe gjatë javës së shkuar, me c’rast thuhej se në lagjen “Bajram Curri” me zonat përreth reduktimi do të zbatohej prej orës 18:00 deri në ora 06:00, derisa në zonat qendrore dhe të epërme të qytetit reduktimi do të zbatohej prej orës 06:00 deri në orën 18:00.
Ditë më parë përfaqësuesit e kësaj lagjeje patën reaguar lidhur me këtë çështje, teksa patën njoftuar se kanë zhvilluar edhe një takim me zyrtarët e “Hidroregjionit Jugor” ku kanë adresuar kërkesën që reduktimi të aplikohet në mënyrë proporcionale në të gjitha lagjet e qytetit, dhe mos të diferencohet vetëm kjo lagje me reduktim 12 orësh në ditë.
Ndërkaq të mërkurën në rrjetet sociale është bërë e ditur se përfaqësuesit e lagjes “Bajram Curri” kanë vizituar “Hidroregjionin Jugor” dhe se nga zyrtarët janë informuar se kjo lagje bashkë me lagjet tjera të qytetit do të përballen me reduktime në furnizimin me ujë me orare të caktuara.
“I ftojmë banorët të kenë durim, dhe shumë shpejt shpresojmë ti kthehemi normalitetit me ujin e pijes”, thuhet në postimin e publikuar gjatë ditës në faqen e lagjes në rrjetet sociale.
Banorë të lagjeve të ndryshme në Prizren javë më parë kanë shprehur shqetësimin lidhur me furnizimin me ujë të pijes. Sipas tyre edhe nëse ka ujë, presioni është i ulët, që pamundëson funksionimin normal të amvisërive. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në KRU “Hidroregjioni Jugor”, Zenel Zenelaj pati deklaruar për KOHËN se si rezultat i mungesës së reshjeve atmosferike ka rënie në burime, dhe se do të shqyrtohet mundësia edhe për aplikimin e reduktimeve të pjesshme në rast nevoje.
“Nëse vazhdon mungesa e reshjeve atmosferike mund të kalohet në reduktime të pjesshme sipas nevojës. Por për këtë, konsumatorët do të njoftohen me kohë”, pat deklaruar Zenelaj.
Plani i Biznesit 2021-2023 i KRU “Hidroregjioni Jugor” te pjesa e deklaratës politike synon furnizimin me ujë, pa ndërprerje për të gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimit.