Arbëri

“Hidrodrini” paralajmëron grevë njëorëshe më 17 dhjetor

KRU Hidrodrini

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit, “Hidrodrini”, të enjten ka njoftuar se më 17 dhjetor do të mbajë grevë njëorëshe nga ora 09:00 deri 10:00.

“Hidrodrini” mbulon komunat e Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit dhe Junikut.

“Vendimi vjen si rezultat i mungesës së përgjigjeve zyrtare ndaj kërkesave të punëtorëve, pavarësisht shkresave dhe negociatave të zhvilluara me menaxhmentin e kompanisë dhe institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

Kërkesat kryesore të punëtorëve të “Hidrodrinit” janë rritja lineare e pagave në shumë prej 110 euro për të gjithë punonjësit, barazimi i shujtës së mëngjesit me ndërmarrjet tjera të sektorit në vlerë 5 euro dhe paga e 13-të.

“Nëse pas grevës paralajmëruese nuk ndërmerren hapa konkretë për adresimin e këtyre kërkesave, Këshilli i Grevës do të përshkallëzojë veprimet sindikale deri në grevë të përgjithshme”, vijon njoftimi.