Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se janë gjetur baktere në mostrat e ushqimit dhe mostra humane të marra pas helmimit të më shumë se 250 qytetarëve në Malishevë, në një lokal të ushqimit të shpejtë në këtë komunë, javën e shkuar.
Sipas njoftimit të publikuar të premten në mbrëmje, bëhet fjalë për “epidemi kolektive të shkaktuar nga Salmonella Enteritidis”.
Në njoftim theksohet se helmimi ka ardhur nga dunerët dhe hamburgerët.
AUV-ja ka bërë të ditur se janë marrë pesë mostra të ushqimit nga lokali dhe 25 mostra nga sipërfaqet e punës të cilat inspektorët i kanë dërguar për ekzaminim mikrobiologjik dhe janë marrë prej të gjithë pacientëve material për koprokulturë. Po ashtu janë marrë mostra të ujit në tri pika mostrimi, afër vendit të shpërthimit.
“Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis, e cila është izoluar në mostra të ushqimit dhe në mostra humane. Në mostra të ushqimit, të strishove të ambientit dhe sipërfaqeve punuese janë izoluar: Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Siç vijon: Majonez i prodhimit vetanak (LUSH 2-3133) - Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Mish doneri termikisht i përpunuar (LUSH 2-3134) - Salmonella enteritidis. Qofte të ngrira (LUSH 2-3135) - Listeria monocytogenes, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Pleskavicë e ngrirë (LUSH 2- 3136) - Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, bakteret koliforme dhe mezofile. Dhe Sos me hudër (LUSH 2—3137) - Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile”, thuhet në njoftim të AUV-së.
Sa i përket mostrave të ujit, ato u përgjigjen standardeve të kërkuara.
Edhe
AUV: Helmimi i 30 personave në Mitrovicë u shkaktua nga majoneza
Siç ka thënë AUV-ja, deri më 19 tetor janë liruar në shtëpi shumica e pacientëve. Tetë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, por me gjendje stabile.
Pronari i lokalit tashmë është në paraburgim.