Pasi u ushqyen në një lokal gastronomie, të paktën 140 qytetarë nga Komuna e Malishevës iu drejtuan mjekut, pas simptomave të njëjta që përfshijnë vjelljen dhe barkqitjen. Nga ta, 47 u hospitalizuan në Prishtinë e Prizren. Policia ka ndaluar pronarin e restorantit që, sipas inspektorëve, ka funksionuar pa përmbushur standardet teknike, sanitare e higjienike. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka konfirmuar se në të janë gjetur edhe produkte pa origjinë
Së paku 140 qytetarë në Malishevë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në një lokal gastronomie.
Nga ta, 12 janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), e 35 të tjerë në Spitalin e Prizrenit.
Shqipe Sopa tregon për gjendjen dhe komplikimet e vajzës së saj, që prej së premtes ndodhet në Infektive.
“Dje ka qenë shumë keq. Dje ka qenë në gjendje të keqe shumë, sa që janë tranu edhe mjekët. Ka marrë infuzione pa ndal hiç, injeksione. As injeksionet nuk i bajshin kurgjo”, ka thënë Sopa. “Ka pasur ethe, temperaturë, ka pasur tug e bark, vjellje me gjak ka pasur, aq ka vjellë shumë, sa i ka humbur krejt lëngjet”.
Për simptomat pas ngrënies së ushqimit ka folur edhe një nga të helmuarat, që është hospitalizuar në Infektive.
“Ne veç dyner kemi hëngër. Nuk e di çka ka pasur. Si kemi hëngër, veç kemi vjellë. Tre orë, nuk ka zgjatë më shumë. Unë prej asaj dite as bukë, as asgjë nuk kam ngrënë. Veç me ujë”, ka treguar ajo.
Drejtori i Klinikës së Infektives, Arben Vishaj, ka thënë se pacientët e helmuar janë nga mosha 8 deri në 43 vjeç dhe se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Dje kanë ardhur gjithsej 12 pacientë të cilët kanë manifestuar sëmundje në formë të vjelljes, heqjeve të barkut, dhembje të barkut, dhe në aspektin e anamnezës, 6 deri në 72 orë më përpara kanë konsumuar ushqim në një lokal dhe kanë ardhur deri te manifestimet e tilla dhe kanë pasuri indikacion që të hospitalizohen në Klinikën Infektive”, ka thënë Vishaj.
E në Spitalin e Prizrenit treguan se 25 nga të helmuarit janë të shtrirë në repartin e infektives dhe 10 të tjerë në atë të pediatrisë.
“Ekipet e mjekëve janë dukebërë mbikëqyrje të përhershme dhe sipas nevojës do të ketë edhe ekipe shtesë. Por për momentin situata sipas ekipeve kujdestare, është nën kontroll të plotë. Janë duke e marrë terapinë. Sot gjatë ditës 6 janë pranuar në Infektivë”, ka thënë Shefajet Berisha, zyrtar për media i Spitalit të Prizrenit.
Të helmuarit fillimisht u drejtuan në QKMF-në në Malishevë.
Drejtori Afrim Krasniqi tha se disa prej tyre kanë pësuar edhe çrregullime neurologjike.
“Deri në këto momente që po flasim, numri ka arritur deri në 140. Gjendja shëndetësore për momentin është jo e mirë. Nuk mund të themi se është shumë e keqe, por jo e mirë. Për shkak se kanë të vjella, barkqitje, kanë temperaturë, të gjithë po kërkojmë ndihmë mjekësore. 86 vetëm sot janë paraqitur”, ka thënë Krasniqi.
Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet, ndërkaq është dërguar në mbajtje pronari i lokalit që ka shërbyer ushqimin nga i cili dyshohet se ka ndodhur helmimi.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës bënë të ditur se është mbyllur përkohësisht lokali, i cili ka funksionuar pa përmbushur standardet teknike, sanitare e higjienike.
“Gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjienikë ka qenë në nivelin jo të mirë. Kjo është bërë nga vlerësimi i ekipit inspektues. E dyta nuk kanë pas libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet t’i ketë. Nuk kanë pasur të kryer DDD-në, domethënë dezinfektimin, deratizimin dhe dezinsektimin që është kriter që kërkohet që të kryhet”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. “Po ashtu aty janë gjetur disa produkte që në i quajmë pa origjinë apo nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë kryer aty brenda asaj kuzhine”.
Për helmimin e qytetarëve ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sipas të cilit, gjendja e të hospitalizuarve është e qetë dhe stabile.
“Mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuam për rastin e helmimit të 68 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së i vizituam të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK. Gjendja e të gjithë të hospitalizuarve pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile. Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, ka shkruar ministri Vitia.
Brenda muajit, ky është rasti i dytë i helmit të qytetarëve nga ushqimi. Një javë më parë mbi 30 pacientë, kryesisht nxënës, morën tretman mjekësor në QKMF dhe në spital të Mitrovicës pas manifestimit të një sërë simptomash disa kohë pasi u ushqyen në një restorant.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës tha se nga rezultatet e para preliminare dyshohet se helmimi në Mitrovicë ndodhi nga sosi dhe majoneza. Po kështu, treguan se po gjurmojnë edhe për një rast në Prishtinë.