Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu thotë se s’ka sigurime shëndetësore deri në vitin 2024

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të presin deri në vitin 2024 për sigurime shëndetësore. Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se arsyeja për këtë është pasi plotësimi i Ligjit për sigurime shëndetësore është planifikuar deri në fund të vitit 2022. Ai thotë se as në vitin 2023 nuk do të ketë mundësi për përgatitjen e bazës ligjore dhe infrastrukturës.

“Sipas programit legjislativ të Qeverisë plotësim-ndryshimi i Ligjit për sigurime shëndetësore është i planifikuar në fund të vitit 2022, çka na bënë me kuptuar që as në vitin 2023 nuk do të ketë mundësi që të fillohet me përgatitjen e bazës ligjore dhe infrastrukturës tjetër për implementimin e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe kjo për mua i shtyn implementimet e sigurimeve shëndetësore deri në vitin 2024. Është shumë e nevojshme që të bëhet plotësim-ndryshimi për sigurime shëndetësore që të bëhet zbatimi i tij, sepse ka pasur ndryshime edhe të ligjeve të tjera për TVSh. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që para fillimit të implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore të bëhet plotësim ndryshimi i ligjit”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka bërë kërkesë disa herë Qeverisë që të sjellë në Kuvend Ligjin për transplantimin e organeve, por një gjë e tillë nuk po merret parasysh nga partia në pushtet, raporton EO. Këtë kërkesë ai po e arsyeton me trajtimet e shumta jashtë vendit. Haxhiu ka folur edhe për ikjen e mjekëve.

“Unë kam apeluar që të sillet në Kuvend e që Qeveria nuk e ka paraparë Ligjin për transplantimin e organeve, sepse një pjesë e madhe e buxhetit tonë shkon për transplantim të organeve jashtë vendit. Mjekët po na ikin, vetëm brenda muajit të fundit 20 mjekë janë larguar nga Kosova. Nuk ka mbështetje për profesionistë shëndetësorë. Ka shumë punë për të bërë, por nuk po shohim veprim sado pak që t’iu jepet shpresë pacientëve dhe profesionistëve shëndetësor që të ofrojnë këto shërbime”, tha ai.