Duke e akuzuar se “po bën të kundërtën e veprimeve që do të duhej”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten ka publikuar një video duke e pyetur Prokurorinë Speciale “se për çfarë dhe për kënd punon?”
Në një video në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, Haxhiu ka folur për objektin e ish-hotelit “Vicianum” në Vushtrri, që ishte rrënuar në fillim të vitit 2021. Prona mbi dy hektarëse, që ishte pronë e Shërbimit Korrektues të Smrekronicës - i ishte dhënë në shfrytëzim një biznesmeni. Ministria e Drejtësisë madje i pati dhënë leje pronarit që pronën t’ia lëshonte me qira Komunës së Vushtrrisë.
KOHA pati raportuar në prill të 2021-s për rastin.
Tani, ministrja Haxhiu duke akuzuar për mospunë Prokurorinë Speciale, ka thënë se Ministria që ajo udhëheq ka bërë kallëzim penal për dhënien në shfrytëzim për 10 vjet të pronës së MD-së te një person fizik. Ajo ka thënë se njëanshëm kanë shkëputur marrëveshjen.
“Në vend të ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Speciale ka nxjerrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal me arsyetimin se nuk ka shkelje penale pasi s’ka dëme të shkaktuara edhe përkundër faktit se kontrata pjesërisht ishte realizuar sepse tashmë ish-objekti siç njihej ‘Hoteli Vicianum’ ishte rrënuar në mënyrë të kundërligjshme. Për më tepër ka krijuar precedent të rrezikshëm, pasi që sipas tyre rrënimi i objekteve publike nga personat fizik s’është vepër penale. Në vend se të merret me ata që kanë shkelur ligjin, kanë zgjedhur të merren me auditorin e brendshëm. Veprimet tona për ndalje të abuzimeve dhe keqpërdorimeve tashmë janë objekt hetimi nga prokuroria në vend se të ishte e kundërta. Në prokurori e polici kemi bërë edhe shumë denoncime të tjera. Por deri tani fatkeqësisht nuk kemi asnjë lëvizja nga ana e institucioneve. Pra shtrohet pyetja e thjeshtë për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?” ka thënë Haxhiu në video.
Edhe
Haxhiu: Rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës është e pandalshme, pavarësisht vonesave
Në disa raste ka pasur përplasje mes qeveritarëve dhe prokurorive e gjykatave. Së fundmi, gjithçka në këtë përplasje u ringjall pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me rezerva shtetërore. Pushteti akuzonte Prokurorinë se është selektive në raste dhe nuk po merret me kallëzimet penale ndaj ish-Qeverive, ndërsa Prokuroria akuzonte pushtetin se po cenon punën e saj.
Për akuzat e ministres Haxhiu, KOHA i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale. Sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
PDK: I habitshëm reagimi i ministres Haxhiu
Pas videos së publikuar nga Haxhiu, ka reaguar koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda. Ai e ka cilësuar të habitshme se si ministrja “që ka për detyrë të punojë për të forcuar institucionet e drejtësisë, të angazhohet çdo ditë për të dëmtuar integritetin e tyre”.
Ai i ka shtruar dy pyetje ministres.
Edhe
Haxhiu: Specialja e ka humbur legjitimitetin kushtetues
“1. Kush duhet të ndërhyjë për rregullimin e sistemit prokurorial, nëse ky sistemi është i dobët? A janë qytetarët të cilëve ajo i referohet në videon e saj, apo ajo që ka marrë votat e tyre për të qeverisur? 2. A mund të kujdeset ministrja më mirë për të zgjidhur probleme në sistem, duke krijuar vlera dhe duke përmirësuar prokurorinë, në vend që të përqendrohet vetëm në kritika dhe sulme?”
“Ministrja duhet ta kuptojë se qeverisja e mirë është shumë më shumë sesa thjesht kritikë dhe identifikim i problemeve, ajo kërkon marrjen e veprimeve konkrete për të krijuar ndryshime pozitive për vendin dhe qytetarët”, ka shkruar Gruda në Facebook.