Arbëri

“Pazari” i pushtetit me të arrestuarin për disa vepra penale shkatërroi motelin “Vicianum”

Në janarin e këtij viti moteli “Vicianum” në Vushtrri, i ndërtuar rreth katër dekada më herët, është shkatërruar deri në themel nga qiramarrësi. Këtë të drejtë atij ia deleguan ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe drejtori i Shërbimit Korrektues, Nexhat Thaçi, që firmosën me të kontratën për qiradhënie. Parcela ku ishte moteli - pronë e Shërbimit Korrektues, ka mbi 2 hektarë dhe deri në 15 vjet do të menaxhohet nga Jahë Osmani, i arrestuar e i hetuar disa herë për vepra të rënda penale

Asgjë nuk ka mbetur nga moteli “Vicianum” në Vushtrri. Shkatërrimi i tij është bërë duke qenë në “duar të shtetit”. Në janarin e këtij viti ndërtesës së ngritur rreth katër dekada më herët i kanë humbur gati të gjitha gjurmët. Ndërtesa ishte pronë e Shërbimit Ndëshkues-Korrektues të Smrekonicës, ku krahas punëtorëve të rregullt aty angazhoheshin deri 90 të burgosur në ditë. Hoteli është shkatërruar e sipërfaqja prej mbi 2 hektarësh i është dhënë biznesmenit Jahë Osmani.

KOHA ka kërkuar qasje në këtë dokument te Shërbimi Korrektues i Kosovës muaj më parë. Ky institucion refuzoi që ta bënte publike kontratën, por pati lejuar xhirimin e pamjeve.

Kriteret për ta fituar kontratën e qiradhënies ishin të pakta. Një nga kryesoret ishte që pas përfundimit të marrëveshjes deri 15-vjeçare parcela të kthehej në gjendjen e mëparshme. Pas përfundimit të kontratës parcela të kthehet në gjendjen të mëparshme apo sipas marrëveshjes mes palëve;

Por një gjë e tillë kishte ndryshuar në nenin 3 të kontratës, përmes të cilit ishte dhënë leja për demolim.

“Objektet ekzistuese të cilat janë në parcelën e dhënë me qira mund të demolohen ose të rinovohen nga qiramarrësi pa pengesa”, thuhet në paragrafin 3 të kontratës.

Lojaliteti i Ministrisë së Drejtësisë ndaj qiramarrësit nuk kishte përfunduar me kaq. Në nenin 4 të kontratës MD-ja i kishte dhënë leje biznesmenit që pronën t’ia lëshonte me qira Komunës së Vushtrrisë.

“Qiramarrësi mund të bëjë marrëveshje me institucionin publik të Republikës së Kosovës, që parcelën apo një pjesë të parcelës ta shfrytëzojnë për nevoja të tyre, përkatësisht Komunën e Vushtrrisë, për zhvillimin e projektit për ndërtimin e stacionit të autobusëve me kusht që të mos shkelen kriteret e përcaktuara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për përdorimin e pronës”, thuhet në paragrafin e dytë.

I turpëruar me atë çfarë ka ndodhur është ish-drejtori i motelit, Istref Sadriu, i intervistuar nga KOHA në janarin e këtij viti. Ai e ka menaxhuar atë nga viti 1995 deri në aplikimin masave të dhunshme nga regjimi i Serbisë. Tregon se “Vicianumi” ishte edhe një shenjë dalluese e Vushtrrisë.

“Mosinteresimi i institucioneve kosovare vendore pas lufte e kanë lanë shkret e kanë dëmtu... Objekti ka pasë renome të madhe në Kosovë. Mundeni me vërejt edhe vetë. Gjynah me pa në çfarë gjendje ka ardhur”, i ka thënë ai KOHËS.

Ylber Musa ka qenë një nga punëtorët e parë të këtij moteli. Ai ka shpjeguar se si ky motel ka qenë në shfrytëzim të KFOR-it, ndërsa që për degradimin thotë se ka nis me t’u larguar ky misionin, në vitin i 2009.

Me 2 nëntor të vitit të kaluar, Shërbimi Korrektues e kishte përmbyllur procesin e dhënies me qira të kësaj sipërfaqeje. Dy hektarë tokë i ishin dhënë biznesmenit vushtrrias Jahë Osmanit për rreth 2 mijë euro për periudhën 15-vjeçare, ndërsa për një vit i bie që Osmani do të paguajë rreth 25 mijë euro.

Osmani fillimisht kishte aplikuar pa certifikatë biznesi. Më vonë e kishte regjistruar biznesin me numrin fiskal me të cilin e ka fituar kontratën. Kontrata është nënshkruar nga ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe nga drejtori i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi. Prona me firmën e tyre i është dhënë për 15 vjet personit, i cili është arrestuar e hetuar disa herë për vepra të rënda penale.

Osmani, sipas informatave që ka në dispozicion KOHA, një herë është arrestuar në vitin 2008 nga Policia e Krimeve Ekonomike për dyshimet për kontrabandë në veri. I njëjti është arrestuar në majin e vitit 2012 nga EULEX-i për vepra penale që pretendohej që janë kryer në veri. Me të ishin arrestuar edhe biznesmeni mitrovicas Mentor Beqiri me dy vëllezërit e tij. Në një dosje të publikuar nga hetuesia prokurori i EULEX-it, Olivier Beauvallet, dyshonte se milionat e përfituar nga veprimtaria kriminale e Beqirit, të cilin e konsideronte kokën e grupit, kishin nisur të investoheshin në ndërtimin e banesave në Mitrovicë e Fushë-Kosovë.

Hetuesia asokohe pati identifikuar lidhje të forta mes Beqirit e atij që konsiderohet bosi i krimit në veri, Zvonko Veselinoviq. Disa nga pompat që besohej se ishin pronë e Veselinoviqit asokohe përmendeshin në dosjen e hetuesisë kundër këtij grupi. Beqiri asokohe pati thënë se Jahë Osmanin e ka punëtor.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Osmanin, por në dy numrat e tij personi që është përgjigjur ka thënë se nuk është ai që po e kërkonim.

Në vitin 2017 Komuna e Vushtrrisë pati kërkuar që kjo hapësirë t’i kalonte komunës, por një gjë e tillë nuk pati ndodhur. Dhe kjo kontratë është një nga arsyet që është iniciuar shkarkimi i Nehat Thaçit. Njoftimi për këtë është bërë i ditur nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e zëvendësi i saj, Blerim Sallahu, në konferencën për media mbajtur të premten.

Në paraqitjen që ka zgjatur më shumë se zakonisht, dy zyrtarët e lartë i kanë cituar gjetjet e një raporti të brendshëm të auditimit, i iniciuar pasi kishin marrë informata për keqpërdorime në SHKK.

“Para disa ditësh kemi pranuar në kabinet disa shkelje brenda Shërbimit Korrektues. Janë lidhur kontrata dhe janë bërë transfere të paligjshme. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Health, riparimi i agregateve, procedura e prokurimit, furnizimi me ushqim për Qendrën e Paraburgimit dhe disa çështje tjera që kanë të bëjnë me rekrutime. Sot do të procedojmë për marrjen e masave ndaj drejtorit të Shërbimit Korrektues”, ka thënë ajo.

E zëvendësministri Blerim Sallahu, teksa ka dhënë detaje për shkeljet e pretenduara, është përqendruar te dhënia me qira e pronës në Vushtrri.

Ligjërisht ministrja Haxhiu nuk mund ta shkarkojë Thaçin, por mund të iniciojë shkarkimin te Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, që në secilin rast udhëhiqet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.