Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësim për anshmërinë e Gjykatës Speciale, pasi trupi gjykues në procesin më të madh të saj ka pranuar një numër provash nga autoritetet e Serbisë. Haxhiu ka thënë se me këtë vendim Specialja po i relativizon krimet e kryera në Kosovë dhe po u beson strukturave që janë përgjegjëse për gjenocid e spastrim etnik ndaj shqiptarëve
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara në Hagë e kanë humbur legjitimitetin kushtetues me pranimin e provave që burojnë nga organet e sigurisë së Serbisë në rastin më të madh të kësaj gjykate.
Specialja ka pranuar për shqyrtim të mëtejmë një numër dokumentesh dhe ka vlerësuar se fakti që ato e kanë burimin në Serbi, nuk i bën prova të papranueshme për rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
E Haxhiu në një reagim në Facebook, të enjten, ka shkruar se me këtë vendim Specialja, që vepron sipas legjislacionit të Kosovës, ka bërë edhe veprim politikisht të papranueshëm.
“Sllobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre, nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës, e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme”, ka shkruar Haxhiu.
Pranimin e provave nga Serbia, Haxhiu e ka quajtur deformim të drejtësisë dhe fyerje ndaj viktimave të luftës, tek i ka cilësuar materialet si dokumente të regjimit gjenocidal të Millosheviqit.
“Me shqetësim e kemi marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale, dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën ‘Komandë për Kosovën dhe Metohinë’. Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim, si burime të besueshme, e përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu po ashtu ka thënë se arsyetimi i Speciales është juridikisht i gabuar dhe nxit dyshime serioze për anshmërinë e saj.
Sipas Haxhiut, Specialja është arsyetuar se “fakti që disa prova të propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk e përbën në vetvete një ndalesë për pranimin e tyre".