Arbëri

Haxhiu: Akuza e Serbisë se Popoviqi e pranoi fajësinë “nën presion”, është e rreme

Albulena Haxhiu - ministrja e Drejtesise gjate konferences per media

Foto: Alban Bujari

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të rremë akuzën e Serbisë se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e pranoi fajësinë “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë”. 

Ajo ka theksuar se Serbia jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikës së Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Popoviqit. 

“Ministria e Drejtësisë së Serbisë paska dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj Igor Popoviq e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vet avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë ashtu edhe marrëveshja”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviqin me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.