Arbëri

Hasani: Për 5 vjet, VV-ja s'e ka bërë asnjë veprim për mbrojtje të të akuzuarve në Hagë

Nait Hasani

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se për pse vjet sa ka qenë në pushtet nuk ka bërë asnjë veprim për mbrojtje të të akuzuarve në Hagë. 
Ai ka thënë se është lehtë për Vetëvendosjen të kritikojë ata që kanë votuar për themelimin e Speciales. 

“Të jesh në opozitë është lehtë të flasësh, lehtë të kritikosh, sepse nuk ke faturë, faturën e ka pushteti, në këtë rast fatura i ka shkuar PDK-së, ka qenë në pushtet, e ka ka pasur kryeministrin, po të ishte Vetëvendosja në pushtet fatura do t’i shkonte asaj dhe do të fliste krejt ndryshe, në rrethana krejt të ndryshme, dhe tani flet, e ka arsyen e vet, e ka të drejtën e vet është në pushtet. Por më e keqja është që për 5 vjet në pushtet Vetëvendosja asnjë veprim nuk e ka bërë në mbrojtjen e të akuzuarve”, ka deklaruar Hasani në emisionin “Konfront” të KTV-së. 

Sipas tij Qeveria është dashur të dërgojë në speciale fakte për dëshmitë që siç ka thënë ai janë mashtrime. “Të ju thotë, ky dëshmitar që ka ardhur sot, është punëtor i Sigurimit të shtetit serb që ka dëshmuar në këtë pikë, ose këtë pikë”, ka deklaruar Hasani. 

Ai e ka komentuar edhe reagimin e Vetëvendosjes pas rrëzimit të mocionit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. 

“Vetëvendosja për herë të parë pas pesë vjetësh reagon me një reagim për Gjykatën Speciale, plus merret me atë, thotë që duhet të kërkojnë fjalë, jo falje morale, por falje që të pajtojnë ata që kanë gabuar dhe lë të fillojnë procesin e përbashkimit, për të filluar një mbrojtje të përbashkët”, është shprehur Hasani.


Krasniqi kritikon Specialen për anshmëri: Kemi gjyqtar që ka pëlqyer në rrjete sociale aktivitetet e zyrtarëve serbë

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se nuk mund të pritet nga Gjykata Speciale një verdikt i drejtë kur ajo gjykohet në publik vazhdimisht si gjykatë e padrejtë.

Ai ka renditur disa arsye për këtë. Siç ka thënë Krasniqi, ka gjyqtarë që kanë pëlqyer në rrjete sociale aktivitete të zyrtarëve serbë, gjyqtarë që kanë parashtruar pyetje orientuese ndaj dëshmitarëve e që kanë dhënë deklarata kundërthënëse.

“I kemi pesë vjet që janë njerëzit kryesorë që po mbahen në masën e paraburgimit. E kemi në studion e KTV-së që kryetarja e Gjykatës Speciale ka thënë që ‘nuk mund të mbahen njerëzit që ne i arrestojmë më shumë se 1 vit në paraburgim’. Kanë shkuar 5 vjet dhe janë në paraburgim. Kemi gjykatës që në proces i kemi pa duke shtruar pyetje orientuese, kjo i bie që dëshmitarin me orientuar çka të flasë. Kemi gjyqtarë publikisht që kanë thënë që e ka mbrojte këtë aspekt që po gjyqtari mund të shtrojë pyetje edhe pak spekulative. Dhe kemi gjyqtarë që në rrjete sociale kanë pëlqyer aktivitete të zyrtarëve serbë. Deri sot Gjykata Speciale asnjë masë disiplinore nuk e ka ndërmarrë”, ka potencuar Krasniqi në “Konfront”.

Ai ka shtuar se nuk është pritur vendim tjetër nga gjykata për mocionin e mbrojtjes së Thaçit e të tjerëve.

“Nëse flasim për pritjet në publik, pritja është kjo çfarë erdhi sot. Gjykimi që i bëhet gjykatës është një gjykatë e padrejtë. Nuk mund të presësh prej një gjykatë të padrejtë një gjykim të drejtë apo një verdikt të drejtë. Ne kemi ish-kryeministra që i kanë dhënë epitetin gjykatës ‘monstrum juridik’”.


Miftaraj: Arsyetimi i gjyqtarit Smith për rrëzim të mocionit nuk ishte bindës

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se arsyetimi i kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, për rrëzimin e mocionit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nuk ishte bindës. 

Ai ka thënë se arsyetimi nuk pati një arsyetim të bazuar. 

“Arsyetimet e gjyqtarit Smith, mund të themi se nuk ishte fare bindës, nuk pati një arsyetim të bazuar i cili në një farë mënyre e bindë publikun, i bind ata që e monitorojnë këtë proces, mbi arsyet e bazuara për rrëzimin e mocionit, kryesisht ne e pamë sot që gjyqtari më shumë i kushtori rëndësi që të mos bëhet fragmentarizimi i aktakuzës”, është shprehur Miftaraj në emisionin “Konfront” në KTV. 

Ai ka thënë se sipas arsyetimit të gjyqtarit nëse do të miratohej Mocioni pika të ndryshme brenda aktakuzës do të shkatërroheshin. 

“Sipas gjyqtarit Smith tij nëse do të miratohej mocioni i mbrojtjes, pika të ndryshme të aktakuzës, në pjesë të ndryshme të aktakuzës do të shpërndaheshin, në një farë mënyre do të mund të shkatërroheshin, që pastaj do ta bënte shumë të vështirë për trupin gjykues, për Prokurorinë që ta mbrojë në fund”, ka deklaruar Miftaraj. 


Hasani: Reagimi i PDK-së për mocionin, i zbehtë - tregon për papjekuri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, e ka kritikuar reagimin që ka ardhur nga kreu i partisë së tij mbi vendimin e Gjykatës Speciale, e cila ka rrëzuar mocionin e përbashkët të mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët për t’i hequr nga aktakuza të gjitha incidentet që bijnë jashtë periudhës së luftës.

Hasani e ka quajtur të zbehtë deklaratën e Memli Krasniqit, teksa ka thënë se tregon edhe papjekuri.  

“Sot kam pa shumë reagime, për herë të parë edhe VV ka dalë me deklaratë. Edhe PDK-ja ka dalë me deklaratë, që është mjaft e zbehtë, për mua është shumë e zbehtë dhe tregon një papjekuri politike të drejtuesve të PDK-së për këtë çështje”, ka thënë ai në “Konfront”.  

Hasani ka shtuar se mbrojtja do të duhej ta bënte mocionin për komplet pikat e aktakuzës. Ka deklaruar se rrëzimi i këtij mocioni tregon “rrezikshmëri të lartë të procesit të mëtejshëm për drejtuesit dhe luftën tonë”.

“Unë kam pritur që pika 35 e akuzës do të bie, do të hiqet pika ku luan ndërmarrje e përbashkët kriminale. Derisa kjo pikë nuk ka rënë, atëherë ne jemi duke u përballur në proces e tutje gjatë mbrojtjes ku do të prezantohet mbrojtja nga gushti deri në përfundim, nëse kjo pikë nuk bie atëherë të gjithë jemi pjesë e këtij grupi, edhe unë jam. Ne nuk kemi qenë asnjëherë ndërmarrje e përbashkët kriminale, ne kemi qenë organizatë e UÇK-së. Ne nuk kemi bë krime, kemi luftuar për mbrojtjen e vendit tonë. Këto nuk merren parasysh”, ka thënë ai.