Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj kujton vëllain dhe bashkëluftëtarët tjerë në përvjetorin e rënies

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar dëshmorët e rënë para 24 vjetësh, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj.

16 prillin, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit e ka cilësuar si një ndër ditët më kritike të luftës për liri.

“Ato ditë lufte, armiku duke e nuhatur humbjen që po i vinte pashmangshëm nga frontet e luftës, u përpoq që egërsinë dhe mllefin ta shfryjë ndaj popullatës civile. Të betuar të luftojnë deri në vetëflijim që shqiptarët të jetojnë të lirë, ranë heroikisht; Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj bashkë me bashkëluftëtarë, bëri homazhe dhe morën pjesë në "Marshin e Lirisë", nga Kulla e dëshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te Lapidari i Heronjve.

“Sot, në Gllogjan e Maznik, në nder të 24 vjetorit të rënies së Heronjëve Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj, si dhe 18 vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, bashkë me bashkëluftëtarë e miq, zhvilluam homazhe dhe morëm pjesë në ‘Marshin e Lirisë’, nga Kulla e dëshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te Lapidari i Heronjve”, ka shkruar më tej ai.