Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj falënderon mjekët amerikanë për ndihmë shëndetësisë në Kosovë

Prishtinë, 27 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot një ekip të mjekëve dhe ekspertëve amerikanë nga “Gift Of Life International”, të cilët Kosovën e ndihmojnë në fushën e mjekësisë që nga viti 2009.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ekipin e mjekëve nga Spitali i fëmijëve në Boston, të kryesuar nga Roger Fagan dhe ekipin themelues të nismës në Kosovë, të kryesuar nga profesori Mazllum Belegu, për ndihmën e realizuar deri tani në mjekimin e shumë pacientëve kosovarë dhe për planet që këto nisma të vazhdojnë.

Deri tani, “Gift of Life” ka mjekuar 106 fëmijë të Kosovës, kryesisht nga sëmundjet e zemrës derisa planet janë që ky projekt të pasohet me një qendër të ekselencës në Kosovë, që do ta mbulojë edhe Ballkanin për proteza si dhe për ekzaminimin, vlerësimin dhe vendosjen e pajisjeve të dëgjimit.

Për këto projekte dhe për vazhdimin e operacioneve të kardiokirurgjisë, kryeministri Haradinaj tha se do të ofrojë mbështetjen e duhur për organizatën në fjalë.

“SHBA-të gjithmonë i kanë qëndruar në krah Kosovës. Sot këtë ndihmë po e japin në fushat më të nevojshme për jetët tona. Falë programeve të tilla shëndetësore, janë shpëtuar shumë jetë, kanë ndryshuar shumë jetë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e përkushtuar për përmirësimin e gjendjes në shëndetësinë e Kosovës dhe për reformimin e sistemit shëndetësor.

Në takim ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili tha se do të caktojë ekip të posaçëm për të përafruar nevojat e sistemit shëndetësorë në vend me mundësitë e ndihmës nga ana e “Gift Of Life International”.