Me pjesëmarrje institucionale dhe diplomatike, u hap sot zyrtarisht Java e Krenarisë 2025 në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 14 qershor.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e Javës së Krenarisë si një ngjarje e domosdoshme për forcimin e lirisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët, pavarësisht orientimit seksual.
Ai u shpreh se edhe në Kosovë, për fat të keq, pjesëtarët e komunitetit LGBT përballen ende me përjashtim dhe diskriminim.
“Të rëndësishme janë ngjarjet si java e krenarisë në betejën për liri dhe të drejta të barabarta, pavarësisht orientimit seksual. Prania e të gjithë juve këtu dhe mbajtja e javës së krenarisë për nëntën herë në Kosovë dëshmon gjallërinë dhe aktivizim e komunitetit. Mirëpo, për fat të keq përvojat të dhimbshme nuk janë të panjohura për disa pjesëtarë të komunitetit LGBT edhe sot edhe në Kosovë sikurse në vende tjera. Ndjenjat e turpit dhe të vetëurrejtjes, mospranimi nga familja dhe diskriminim në shoqëri janë dukuri të cilat të gjithë ne që besojmë fortë në elitë dhe barazi duhet t'i luftojmë së bashku, të zotohemi se do të vazhdojmë përpara pa asnjë hap mbrapa. Në këtë drejtim institucionet shtetërore janë në krye të detyrës, qeveria jonë po punon vazhdimisht për një shoqëri gjithëpërfshirëse...Në këtë drejtim mbajtja e javës së krenarisë është një traditë kuptimplote dhe mundësi për Kosovën”, ka thënë Kurti.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav.
Ai vlerësoi angazhimin e komunitetit për guximin dhe aktivizimin e tyre, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian qëndron fort përkrah të drejtave të këtij komuniteti.
"Kjo është java e festës, reflektimit, dukshmërisë dhe përkushtimit të ripërtërirë ndaj dinjitetit dhe barazisë njerëzore. Urimet e mia për komunitetin LGBTQI+ për gjithçka që keni bërë në Kosovë. Faleminderit për guximin dhe faleminderit për aktivizimin tuaj. Kohët në mbarë botën janë shumë të vështira. Ka shumë pasiguri. Por në emër të Bashkimit Evropian, mund të konfirmoj se jemi të përkushtuar fort ndaj të drejtave të personave LGBTIQ+. Këto nuk janë të drejta të veçanta, këto janë të drejta të njeriut. Dhe vizioni ynë në Bashkimin Evropian është mbrojtje më e madhe, përfshirje, dhe mosdiskriminim në të gjithë BE-në, në të gjitha shtetet anëtare dhe në vendet partnere. Dhe në këtë drejtim, Kosova po ecën mirë, sepse shumë gjëra të rëndësishme kanë ndodhur. Vetë fakti që parada e Krenarisë është mbajtur çdo vit pa ndonjë incident është një shenjë e normalizimit dhe pranimit. Dua gjithashtu të theksoj një moment të rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë, për herë të parë, një vendim gjyqësor me rëndësi ka konfirmuar një aktakuzë për një rast të krimit të rëndë të urrejtjes, që përfshinte rrëmbim, lëndime fizike dhe kërcënime ndaj privatësisë personale të një personi LGBTIQ+”, theksoi Orav.
Ndërsa ka thënë se mbështetja e Bashkimit Evropian për organizatat e shoqërisë civile do të vazhdojë.
Në anën tjetër, ambasadori i Suedisë Jonas Westerlund shprehu shqetësimin e tij për sfidat me të cilat përballet ky komunitet në nivel global, duke theksuar se mbi 350 persona janë vrarë vitin e kaluar vetëm për shkak të identitetit të tyre seksual.
“Suedia është një mbështetëse e madhe e këtij komuniteti. Por ky komunitet përballet me sfida çdo ditë. E kam kërkuar këtë në Google dhe rezulton se vitin e kaluar mbi 350 persona nga komuniteti LGBTIQ+ janë vrarë. Disa ditë më parë u publikua një opinion, jo një vendim përfundimtar, por një mendim, nga avokatja e përgjithshme e Këshillit Evropian për të Drejtat e Njeriut. Ky është një zhvillim i rëndësishëm, dhe tani po presim vendimin përfundimtar nga Këshilli. Ky ishte mendimi i avokates së përgjithshme, Tamara Chapietta. Ajo deklaroi se një prej vendeve anëtare të BE-së ka zbatuar ligje kundër komunitetit LDPTQI plus. Ajo theksoi se kjo përbën një shkelje të të drejtave të këtij komuniteti. Ende nuk kemi një vendim përfundimtar, por kjo është një hap në drejtimin e duhur”, ka thënë ai.
Java e Krenarisë është ngjarje që organizohet nga komuniteti LGBT tash e disa vjet në Kosovë./Kosovapress