Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hamza: Vetëvendosje është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit

hamza

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kthyer në shkatërruese të themeleve të institucioneve të shtetit. 

Hamza ka folur në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së të mbajtur të hënën, gjatë të cilës është thënë se Kosova po përballet me një krizë të thellë kushtetuese e institucionale.

Kryesia e PDK-së ka thënë se shpërfillja e Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afatave detyruese, përbëjnë cenim serioz të funksionimit demokratik dhe institucional të shtetit. 

“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar Hamza.

Hamza ka theksuar se fillimisht është refuzuar përmbushja e detyrimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, siç është përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tash, edhe pas përfundimit të këtij afati, po vazhdon mosrespektimi i procedurave dhe detyrimeve institucionale.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka thënë Hamza. “Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”.

PDK-ja ka thënë se do t’i  mobilizojë strukturat e saj në çdo komunë të Kosovës, në çdo degë dhe nëndegë, në çdo nivel të organizimit partiak dhe qytetar për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.

“PDK-ja do të ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim kundërshtimin e degradimit të mëtejshëm të institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Këto veprime do të shoqërohen edhe me konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, që besojnë se shteti dhe Kushtetuta janë mbi çdo parti dhe mbi çdo individ. Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtet-formuese, e konsideron përgjegjësi politike dhe qytetare që të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e shkeljes së rregullave kushtetuese dhe institucionale”, thuhet në njoftimin e PDK-së. 
 

Hamza thotë se s’ka pranuar ftesë nga Kurti: Për çka ftesë, për çka të flasim?

1 min. më parë / 10 gus 2026 20:03
Bedri Hamza

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka qëllim krijimin e institucioneve të reja.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se situatë është shumë serioze, duke shtuar se Kurti nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, që kërkon që brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ai tha se nuk pse të ketë ftesë nga Kurti, duke iu referuar negociatave për formimin e institucioneve të reja .

“Jo, s’kam pranuar ftesë, edhe për çka ftesë? Për çka me fol? Ne kemi bërë qëndrimin tonë të qartë, domethënë nuk ka qëndrim serioz, nuk ka qëndrim edhe nuk ka qëllim me i dhënë vendit institucione. Nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, që kërkon që brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk jep emër, nuk e respekton Kushtetutën. Është situatë më shumë se serioze, nuk respektohet Kushtetuta e vendit, suspendohet akti më i lartë juridik, nuk respektohet demokracia. Futet vendi në një terren të panjohur në të kaluarën”, tha Hamza.

Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës është duke e e diskutuar situatën dhe duke i marrë veprimet e nevojshme.

“Veprimet do të jenë edhe ligjore, edhe kushtetuese, edhe demokratike në mbrojtje të rendit kushtetues dhe demokracisë në Republikën e Kosovës. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, kjo s’është dashur me ndodhë as tash. Asnjë arsye nuk ka, asnjë pengesë nuk e ka që me bërë propozimin për kryetar të Kuvendit të Kosovës, mirëpo këto janë puro kalkulime të tij politike në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm të demokracisë, në mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Hamza.

I pyetur se a do marrin pjesë nëse caktohet vazhdimi i seancës konstituive ditëve vijuese, Hamza tha se veprojnë sipas interesave të vendit, duke theksuar gjuajtjen me vezë si mbrojtje të Republikës së Kosovës.

“Ne jemi deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne veprojmë në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës. Interesante është që këta kur gjuajnë me vezë, kur e gjuajnë me gurë, kur bëjnë ngjarje, janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Po në të njëjtën kohë kur këta i gjuan dikush me vezë, prapë janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Andaj, kjo është një situatë shumë serioze, jemi duke e trajtuar me seriozitetin më të madh. Ne jemi shumë të kujdesshëm, normalisht edhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit kushtetues dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, tha Hamza./KSP