Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Hamza: Vetëvendosje has become destructive of the institutional foundations of the state

hamza

Photo: Driton Pacharada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kthyer në shkatërruese të themeleve të institucioneve të shtetit. 

Hamza ka folur në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së të mbajtur të hënën, gjatë të cilës është thënë se Kosova po përballet me një krizë të thellë kushtetuese e institucionale.

Kryesia e PDK-së ka thënë se shpërfillja e Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afatave detyruese, përbëjnë cenim serioz të funksionimit demokratik dhe institucional të shtetit. 

“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar Hamza.

Hamza ka theksuar se fillimisht është refuzuar përmbushja e detyrimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, siç është përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tash, edhe pas përfundimit të këtij afati, po vazhdon mosrespektimi i procedurave dhe detyrimeve institucionale.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka thënë Hamza. “Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”.

also Assembly in the dark Arberi Assembly in the dark

PDK-ja ka thënë se do t’i  mobilizojë strukturat e saj në çdo komunë të Kosovës, në çdo degë dhe nëndegë, në çdo nivel të organizimit partiak dhe qytetar për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.

“PDK-ja do të ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim kundërshtimin e degradimit të mëtejshëm të institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Këto veprime do të shoqërohen edhe me konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, që besojnë se shteti dhe Kushtetuta janë mbi çdo parti dhe mbi çdo individ. Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtet-formuese, e konsideron përgjegjësi politike dhe qytetare që të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e shkeljes së rregullave kushtetuese dhe institucionale”, thuhet në njoftimin e PDK-së.