Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hamza për presidentin: Jemi në rrethana të reja, i përshtatim qëndrimet tona

Bedri Hamza

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se zhvillimet e fundit kanë krijuar “rrethana të reja” dhe se për këtë arsye partia e tij mund t’i përshtatë qëndrimet për çështjet që lidhen me të ardhmen e shtetit, duke iu referuar çështjes së presidentit.

Hamza ka deklaruar se situata aktuale nuk duhet parë përmes qëndrimeve të së kaluarës, por në funksion të interesave të shtetit dhe të ardhmes së tij.

“Jemi në rrethana të reja, në gjendje në të cilën s’ka të bëjë me të kaluarën, ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja, ne normalisht i ndërrojmë dhe i përshtatim qëndrimet tona për çështjet të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e perspektivën e shtetit”, ka thënë Hamza pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së.

Ai ka theksuar se në situata të tilla është e nevojshme që të ketë takime dhe bashkëbisedim mes akterëve politikë.

“Është normale që në këto situata kaq të rëndësishme të ketë takime. Por s'mund të flas për situata hipotetike”, ka deklaruar ai kur u pyet nëse do ta votonin një kandidat të Vetëvendosjes për president. 

Më 23 shtator, Gjykata Kushtetuese përveç që konstatoi se Kuvendi është konstituar dhe se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është antikushtetues, dha afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit, duke konstatuar se afati ka filluar të rrjedhë më 8 gusht.

Zgjedhjet e 7 qershorit u shkaktuan pikërisht për shkak të dështimit të partive për t’u dakorduar për emrin e presidentit të ri.

Pas 7 qershorit, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kërkoi shtyrjen e seancës konstituive me arsyetimin se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk shmangin zgjedhjet.

Kryetari i saj, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, pas disa takimesh njoftuan se janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së. Ndërkohë, PDK-ja pati qëndrim të prerë për qëndrim në opozitë dhe nuk diskutoi se VV-në për ndonjë emër.