Prokurori Joshua Hafetz tha se Hashim Thaçi në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë informacione konfidenciale dhe ka shkelur rregullat e kësaj gjykate.
Hafetz deklaroi se në këtë çështje gjyqësore janë pranuar rreth 28 orë incizime të Thaçit të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në një periudhe prej katër muajsh.
“Bashkë të akuzuarit, shokë të vjetër të Hashim Thaçit, secili prej tyre iu bashkua z. Thaçit në këtë veprim”, tha Hafetz.
“Ajo që kishte rendësi për Thaçin dhe të bashkë të akuzuarit është që dëshmitarët që kishte zgjedhur Thaçi për ndërhyrje duhet të thonin dhe të bënin atë që donte Thaçi”.
Ai tha se të gjitha komentet e mbrojtjes të dhëna që nga fillimi lidhur me këtë çështje, e kanë shmangur këtë realitet që sipas tij është i thjeshtë.
Edhe
ZPS: Kemi nëntë audio-incizime të Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë
“Të gjitha komentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur realitetin, këtë realitet kaq të thjeshtë. Pra, ta largonin vëmendjen e Gjykatës nga këto fakte që kishte para syve. Me fjalë të tjera ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme Gjykatën. Mbrojtja do që kjo Gjykatë ta fusë kokën në rërë dhe të mos shoh atë që është përpara syve”, tha Hafetz.
Ai tha se faktet nuk mund të fshihen pasi sipas tij, veprimtaria penale është e incizuar brenda qendrës së paraburgimit.
“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Arsyeja është se vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet të iu thonin vizitorët dëshmitarëve. Këtë e ka bërë me muaj të tërë dhe udhëzimet e tij e kishin një praktikë të ngjashme; për të zbehur akuzat në çështjen 06”, tha Joshua Hafetz.
Sipas Hafetz, mbrojtja ka sugjeruar që trupi gjykues nuk mund të mbështetët në asnjë pjesë të asnjë transkripti dhe pretendon se të gjitha orët e incizimit duhet të lihen me një anë.
Ka shtuar se në këtë pikë, mbrojtja mbështetët në një dëshmitare e cila ka dëgjuar pjesë të pacaktuara të transkriptimeve dhe që ka pasur mundësi që të krijojë vetëm përshtypje.
Hafetz tha se kjo dëshmitare nuk ka qenë në gjendje që t’iu përgjigjet as pyetjeve bazë për metodologjinë që ka përdorur për hulumtimin e saj.
Edhe
Prokuroria në Speciale: Thaçi formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët
Ai tha se kjo dëshmitare nuk flet dhe as nuk kupton shqip si dhe nuk e din dallimin e faktit dhe ekzistencën e dialekteve toskë dhe gegë të gjuhës shqipe.
Në linjën e argumenteve për këtë dëshmitare, Hafetz tha se ajo kishte kërkuar ndihmë prej mbrojtjes për interpretimet në gjuhën shqipe, ndihmë të cilën nuk e kishte marrë.
Në rrjedhë të kësaj, sipas Hafetz, e njëjta dëshmitare kishte përdorur inteligjencën artificiale si të vetmin parametër për të dalë në përfundimet e raportit të saj.
“Një dëshmitare që nuk është fare e trajnuar për sa i takon funksionimit dhe përdorimit të sistemit të inteligjencës artificiale”, tha ai.
“Fillimisht dua të fillojë me vizitën e Fadil Fazliut te Thaçi. Atëherë faktet e kësaj vizite dhe provat konfirmuese janë mikrokozmos i kësaj çështje dhe provat tregojnë se si Thaçi ishte drejtuesi dhe organizuesi i pengimit të çështjes 06. Vizita e incizuar dëshmon përpjekjet e mbrojtjes për të devijuar dhe ngatërruar procesin”, ka thënë ai.
Hafetz tha se Thaçi dhe Fazliu ishin në një dhomë në të cilën kanë planifikuar, janë pajtuar si dhe kanë ndërmarrë hapa konkret duke përfshirë edhe përdorimin e Fahri Fazliut (djali i Fadil Fazliut) për të ndërhyrë me dëshmitarët në çështjen 6.
Edhe
Ekspertja fajëson ZPS-në për deklaratat që ajo i ndryshoi
“Ditën e nesërme pas vizitës, pasi Thaçi i kishte përsëritur udhëzimet Fazliut, Fazliu shkoi në Kosovë dhe ai dhe djali i tij bën komplet atë për të cilën ishin pajtuar me Thaçin. Ata u takuan me z.Mustafa- një dëshmitar kyç në çështjen 06”, tha ai.
Pas kësaj deklarate, Hafetz i parashtroi argumentet e veta duke shfaqur herë pas here pjesë nga audio-incizimet të cilat veç janë publikuar edhe gjatë periudhës së paraqitjes së provave.