Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deklaratat përfundimtare në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë

hashim thaci speciale

Në Gjykatë Speciale janë duke u mbajtur deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerët, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë.

Autore: Blendina Veliqi

Mbrojtja: Prokuroria ka dështuar ta vërtetojë fajësinë e Smakajt

1 muaj më parë / 10 sht 2026 16:50 Nga: Blendina Veliqi
Bashkim Smakaj

Avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees, ka thënë se Prokuroria nuk e ka vërtetuar se Smakaj ka marrë pjesë në bisedat që pretendohet se janë incizuar me 9 shtator 2023 dhe 7 tetor 2023. 

Për këtë arsye avokati ka thënë se Smakaj duhet të lirohet nga akuzat.

“Prokuroria ka dështuar që të vërtetojë standardin penal të provës lidhur me këto çështje se z.Smakaj ka marrë pjesë në këto pjesë të bisedës që pretendohet se janë incizuar me 9 shtator 2023 dhe 7 tetor 2023 për të cilat Prokuroria pretendon se përbëjnë vepër penale dhe rrjedhë nga kjo, sipas parashtrimit tonë Z.Smakaj duhet të lirohet nga të dy akuzat” , ka thënë avokati Rees.

Smakaj akuzohet për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. 

Mbrojtja e Thaçit kërkon lirimin e tij: Vendimi duhet të bazohet në prova, jo në spekulime

1 muaj më parë / 10 sht 2026 14:55 Nga: Blendina Veliqi
hasha

Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja, Sophie Menegon ka thënë që vendimi i trupit gjykues ndaj klientit të saj duhet të bazohet në prova dhe rrjedhimisht ai të lirohet.

Sipas saj, vendimi nuk duhet të mbështetët në spekulimet e Prokurorisë.

 “Prokuroria iu kërkon juve që të dërgoni në burg z. Thaçi për 6 vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi i juaj që të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.

Përveç kësaj, Menegon tha se dëshmitarët që janë përmendur në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kanë pohuar se nuk janë ndikuar nga askush. 

“Dëshmitarët e përmendur në aktakuzë siç është Mustafa, Bislim Zyrapi apo dëshmitari 4 kur janë marrë në pyetje nga ZPS-ja kanë pohuar se nuk ka ndërhyrë askush tek ata. Edhe në qoftë se një pjesë e informacionit pretendohet se është përmendur nga Thaçi gjatë vizitave ishte i klasifikuar si konfidencial në çështjen 6 në praktik, pjesa më e madhe e tij ishte në fushën publike apo që njihej nga vizitorët e Thaçit”, tha Menegon.

Rrjedhimisht, Menegon tha se në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje.

“Në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje”, tha ajo.

Menegon tha se Thaçi akuzohet për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimeve të përbashkëta në një grup. Sipas saj, krimet e pretenduara nuk  ndiqen pothuajse kurrë penalisht në Kosovë.

“ZPS-ja e bën këtë për të justifikuar masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj Thaçi për muaj të tërë. Incizimet e bisedave të tij, bisedave telefonike, bisedat e privilegjuara përfshirë edhe ato me bashkëshorten dhe djalin e tij”, tha ajo.

Menegon shtoi se provat e prokurorisë janë të dobëta nga ana ligjore dhe ajo faktike. 

Avokatja tha se Prokuroria nuk ka prova për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

“ZPS-ja pretendon se janë dëmtuar provat... Mirëpo, meqë nuk kanë prova për një gjë të tillë, ZPS-ja pretendon dhe jep një imazh të pavërtetë të ndërhyrjes së dëshmitarëve me forcë. Pra, është e qartë që ZPS-ja ka shtrembëruar kuptimin e nenit 401 i cili nuk ka lidhje fare me pretendimet që ka ngritur ZPS-ja në këtë çështja gjyqësore apo me interesat që ZPS-ja po pretendon se po mbron”, tha ajo.

Menegon tha se Thaçi akuzohet edhe me shkeljen e fshehtësisë së procesit sipas nenit 392 të KPK-së. 

Ajo tha se ZPS-ja për t’u mbështetur në këtë nen duhet të vërtetojë se marrësi i informacionit nuk ka qenë në dijeni më parë të informacionit që iu është nxjerrë.

Menegon shtoi se aktakuza është inkoherente sa i përket përgjegjësisë penale.

Sa i përket ndërhyrjes ajo tha se nuk ka asnjë provë dhe nuk ka asnjë akt pengimi.

“Sa i përket ndërhyrjes nuk ka asnjë provë, nuk ka asnjë akt pengimi. Pra, ZPS-ja u detyrua të gjente disa mospërputhje sa i takon formave të përgjegjësisë penale por nuk u thellua asnjëherë të shikonte se çfarë interpretimi është dhënë në të drejtën kosovare për format e përgjegjësisë penale dhe as nuk ka shpjeguar se çfarë provash ka për këto akuza. Madje, ZPS-ja i ka keqinterpretuar format e përgjegjësisë penale dhe nuk i ka mbështetur me fakte”, ka thënë ajo.

Menegon tha se ZPS-ja është mbështetur në teori të gabuara sa i takon përgjegjësisë penale.

“ZPS-ja tenton qartazi që të trajtoni tentimin dhe marrëveshjen (për të kryer veprën penale) si ekuivalente me një vepër penale të konsumuar. Kjo është në kundërshtim me të drejtën kosovare dhe në përgjegjësi nuk ka kuptim me të drejtën penale”, ka deklaruar Menegon. “Sa u takon formave të përgjegjësisë penale është e paqartë se nuk na i shpjegojnë provat për këtë përveç formës së tretë të nxitjes, çdo formë tjetër e përgjegjësisë penale kërkon veprim, hapa konkretë për kryerjen e veprës penale. Një diskutim thjeshtë teorik është i pamjaftueshëm. Çfarë i mungon ZPS-së?! Janë pikërisht provat për veprimtari të tilla. ZPS-ja përpiqet që ta anashkalojë këtë duke përmendur disa veprime që kanë ndodhur përpara vizitave, por nuk shpjegon se si kjo sjellje mund të jetë relevante për elementet të cilat duhet vërtetuar”.

“Është detyra e ZPS-së që të punojë me profesionalizëm dhe që të vërtetojë çdo akt të vetin. Nëse do veproni ndryshe, do të jepni një mesazh të gabuar. Do i thoni ZPS-së se nuk kanë pikë përgjegjësie për punën që bëjnë dhe kjo nuk është e barabartë me procesin e drejtë ligjor. Ajo tha se asnjë prej dëshmitarëve në çështjen 6 nuk janë thirrur në këtë çështje dhe për këtë dha arsye faktin që sipas saj s’ka pasur ndërhyrje në deklaratat e tyre”, ka thënë ajo. “Nuk e ka bërë sepse asnjë prej këtyre personave nuk është ndërhyrë nga të akuzuarit”.

Për provat e ekspertit të Prokurorisë, Koen Herlar, mbrojtja tha se duhet të iu jepet fare pak rëndësi pasi që ka problem të theksuar në rezultatet dhe metodologjinë që ka përdorur.

“Kjo zbehë besueshmërinë e z.Herlar dhe cenon shumë vlerën të provave të tij. Mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që të kundërshtojë në mënyrë të njëmend provat e tij. Dhënia e peshës domethënëse provave të tij, do të çonte në drejtim të padrejtë të mbrojtjes”, ka thënë ajo.

“Mbrojtja parashtron se ZPS-ja nuk ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se veprat penale të pengimit, shkeljes së fshehtësisë dhe mosbindjes së gjykatës. Ne parashtrojmë se barra e provës i takon ZPS-së dhe ju i nderuar gjykatës duhet të bindeni se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm të provave përtej fajësisë së të akuzuarve dhe për këtë arsye nuk duhet të mbështetni në prova rrethanore ose të tërthorta por duhet që të dilni përtej dyshimit të arsyeshëm”, ka thënë Menegon.

Rrjedhimisht, Menegon tha se personat e akuzuar nuk e kishin qëllimin për të kryer vepër penale dhe se udhëzimet e pretenduara nga Thaçi, sipas saj janë vetëm udhëzime që dëshmitarët ta thonë të vërtetën.

“Prokuroria kërkon një dënim të rënduar prej gjashtë vjetësh burgim për fjalët që pretendohet se z.Thaci t’i këtë thënë në Qendrën e Paraburgimit ndërkohë që nuk ka ndodhur asgjë më tej. Kjo është tërësisht shproporcionale me tërësinë e provave të paraqitura që tregojnë se pavarësisht asaj që mund të jetë thënë apo marrë marrëveshja për të rënë dakord ose filluar, kjo nuk ka pasur asnjë ndikim tek dëshmitarët dhe se ZPS-ja apo në procesin e çështjes 06”, tha ajo.

Ajo ritheksoi se Thaçi akuzohet vetëm për veprën penale të tentimit të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare dhe jo për kryerjen e saj.

“Nuk ka shkaktuar asnjë dëm dhe z.Thaci është përballur me një kohë të gjatë në paraburgim. Përndryshe, nëse ju z. Gjykatës  konsideroni një dënim me burg duhet që ai të mos jetë më shumë se sa koha e kaluar tashmë në paraburgim”, ka thënë mbrojtja.

Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin për pengim të drejtësisë

1 muaj më parë / 10 sht 2026 13:46 Nga: Blendina Veliqi
Hafetz thaci hague

Pas paraqitjes së të gjitha fakteve për të cilat Prokuroria pretendon se i ka, ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, 9  muaj për Hajredin Kuçin dhe nga tre vjet për të tjerët.

“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast. Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçi 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë denimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, ka thënë Prokuroria.  

Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj 

Sipas Prokurorisë, akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe akuzat që ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm, janë krime. 

“Janë krime për një arsye të qartë; Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë pikërisht për shkak të kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë paraqet një kërcënim  për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, ka thënë Prokuroria.

Prokurori: Dëshmitari i parë që shënjestroi Thaçi ishte Sylejman Selimi

1 muaj më parë / 10 sht 2026 13:15 Nga: Blendina Veliqi
Hashim Thaçi

Dëshmitari i parë që shënjestroi Thaçi, sipas prokurorit, është Sylejman Selimi. Ai tha se Hajredin Kuçi u pajtua që t’ia përcillte mesazhet këtij dëshmitari, i njohur ndryshe si dëshmitari 5.

Pas kësaj, u shfaq një audio-incizim, për të cilin prokurori tha se Thaçi i kishte dhënë udhëzimet e veta Kuçit se çfarë duhet t’i thotë Sylejman Selimit.

Tutje, ai thotë se përmes pëshpëritjeve, Thaçi i jep udhëzime Kuçit se si duhet të japë dëshmi edhe Bislim Zyrapi.

Sipas tij, ajo se çka i nevojitej Thaçit ishte që të përshkruante të kaluarën në favor të tij.

“Thaçit i nevojitej që Zyrapi të jepte përgjigje të sakta për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm dhe përgjegjësinë e personave, përfshirë edhe Thaçin, që të minimizonin përgjegjësinë penale të Thaçit përpara nëntorit të 1998-ës”, tha Hafetz.

Ai tha se Thaçi e ka thënë qartë se duhet atij t’i hiqej e gjithë periudha e verës e 1998-ës.

Sipas prokurorit, Zyrapi në dëshminë e mëparshme e kishte vendosur Thaçin mbi Shtabin e Përgjithshëm dhe se tani Thaçit i nevojitej që të ndryshohej ky pozicion.

“Vetë Kuçi nuk ka qenë pasiv, ai u pajtua se ky dëshmitar duhet të ndryshojë dëshminë që t’i përshtatej kërkesave të Thaçit”, tha ai.

Pas Zyrapit, në diskutim me Kuçin, prokurori thotë se Thaçi u fokusua te një viktimë që ishte pjesëmarrëse në rastin për krime lufte.

Prokurori thotë se Thaçi ishte i shqetësuar se mos ky dëshmitar e implikonte personalisht Thaçin në krimet në çështjen 06.

“Për Thaçin ishte thelbësore që Thaçi të mos implikohej. Është e qartë nga incizimet se Thaçi donte nga Kuçi që ta trajtonte këtë problem menjëherë, sepse dëshmitari shumë shpejt do të vinte për të dhënë dëshmi”, tha Hafetz.

Prokurori Joshua Hafetz tha se Isni Kilaj, në vizitat e tij, e kishte bërë të qartë synimin e tij për të penguar procesin gjyqësor dhe për të ndërhyrë në dëshminë e dëshmitarëve në rastin në të cilin Hashim Thaçi akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përveç që ndihmoi në dhënien e udhëzimeve, prokurori thotë se Kilaj, gjatë vizitës së 6 tetorit 2023, kishte në zotërim materiale konfidenciale të ZPS-së.

“Këto nuk ishin dokumente rastësore, ishin disa nga dokumentet më delikate që kishte dorëzuar ZPS-ja dhe që kishte ndarë me të akuzuarit në mënyrë konfidenciale në çështjen 06”.

Disa prej dokumenteve, sipas prokurorit, ishin përmbledhje të hollësishme të asaj se çfarë do të thoshte një dëshmitar i Prokurorisë gjatë dëshmisë së vet.

“Me fjalë të tjera, në duar të gabuara, një udhërrëfyes për të shënjestruar dëshmitarët me qëllim të ndërhyrjes ndaj tyre. Ne, të paktën e dimë se Kilaj ka marrë të paktën pesë përmbledhje konfidenciale nga këto materiale konfidenciale të ZPS-së dhe i ka futur në një program përkthimi në laptopin e vet”, tha ai.

Ai shtoi se nuk kishte asnjë arsye legjitime që Kilaj t’i kishte në zotërim këto materiale konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë.

Hafetz tha se kjo nuk ka qenë rastësi, pasi secila prej përmbledhjeve kishte informacion për keqtrajtimin e të njëjtit dëshmitar që do të paraqitej për të dëshmuar në rastin për krime lufte.

Ndërsa, për dëshminë e dëshmitarit 4, prokurori tha se pritej që të zhvillohej nga pyetje për përfshirjen e Thaçit në keqtrajtimin e pretenduar të tij.

Ky dëshmitar, sipas Prokurorisë, ishte tentuar që të ndikohej përmes Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut.

“Thaçi shqetësohej se mos dëshmitari 4 e implikonte Thaçin në atë se çfarë i kishte ndodhur atij”.

Deklarata e vitit 2018 dhe ajo e 2016 e deshmitarit katër, sipas Prokurorisë ka dalë të jetë printuar nga printeri që ka qenë në zotërimin e të paraburgosurve. Ai tha se dokumentet e tilla iu gjetën në posedim të Isni Kilajt.

“Kur ZPS-ja e pyeti Kilajn për fletën e grisur me deklaratat e mëparshme të dëshmitarit 4 që është sekuestruar nga mbeturinat e tij, Kilaj e ka pranuar se i zotëronte ato dhe se ka pranuar se shkrimi i dorës ishte i tij dhe se kur u pyet se nga e ka marrë deklaratën konfidenciale të dëshmitarit, ai gënjeu”, tha prokurori Joshua Hafetz.

Për Bashkim Smakajn, Prokuroria thotë se e vizitoi Thaçin më 9 shtator 2023, së bashku me Artan Behramin, Blerim Shalën dhe Ismail Sylën. Vizitë kjo që, sipas Prokurorisë, zgjati rreth tri orë.

Pas temave për çështje personale, prokurori thotë se Thaçi filloi të diskutonte çështje që lidheshin me rastin e tij për krime lufte.

Gjatë kësaj vizite, prokurori thotë se Thaçi dha informacion konfidencial për vizitorët. Në mesin e informacioneve konfidenciale, sipas prokurorit, ishte shpalosja e emrit dhe mbiemrit të një dëshmitari të mbrojtur të Prokurorisë.

Në këtë vizitë, Prokuroria thotë se Thaçi e nënvizoi rëndësinë e dëshmisë së Bislim Zyrapit.

Sipas audio-incizimeve, Thaçi kishte thënë se “Bisa ishte vendimtari”. Veç kësaj, thuhet se ai dha udhëzime se si duhet të dëshmojë Zyrapi.

Hafetz thotë se Zyrapi e ka mohuar se ka biseduar për dëshminë e tij me Bashkim Smakajn.

“Ne e dimë që Zyrapi dhe Smakaj kanë diskutuar me njëri-tjetrin lidhur me vizitat në qendrat e paraburgimit. Ne e dimë këtë sepse Smakaj ia tha Thaçit këtë informacion më 7 tetor”.

Udhëzimet e Thaçit për Zyrapin, të cilat do t’ia përcillte Smakaj, sipas prokurorit, ishin që të thuhej se Shtabi i Përgjithshëm përbëhej vetëm nga gjashtë persona dhe në mesin e tyre nuk ishte Thaçi deri në nëntor të ’98-ës, si dhe se organizata e UÇK-së ishte e kufizuar dhe më shumë ishte një aspiratë.

Ndër udhëzimet e tjera, pretendohet se Thaçi kërkoi që Zyrapi të thoshte se Zonat Operative nuk ishin të lidhura me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

ZPS: Provat janë të rënda, Thaçi tentoi të përgatitë narrativën e preferuar për veprimet e tij

1 muaj më parë / 10 sht 2026 12:04 Nga: Blendina Veliqi
Hafetz thaci hague

Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori Joshua Hafetz tha se në rastin gjyqësor në të cilin Hashim Thaçi së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, provat janë të rënda.

“Arsyeja që mbrojtja është përpjekur që të bëjë përmbajtjen e këtij incizimi që ta largojë në tërësi është e thjeshtë; provat janë të rënda. Pas trajtimit të çështjeve personale dhe çështjeve politike me zë të rregullt, Thaçi pëshpëritë për një kohë të gjatë udhëzime të hollësishme se si dëshmitarëve të ndryshëm në çështjen 06 duhet të iu thuhet se si duhet të dëshmojnë”, tha Hafetz.

Sipas Prokurorit, dëshmitarët ndaj të cilëve u tentua ndikimi ishin dy ish-pjesëtarë të UÇK-së si dhe një dëshmitar i cili pretendohet se është viktimë e keqtrajtimit.

Hafetz Tha se Thaçi shenjëstroi këta dëshmitarë në përpjekje për të krijuar narrativa se ai nuk ishte përgjegjës për veprat penale për të cilat ngarkohet.

“Dy ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe njëri ishte viktimë e pretenduar e keqtrajtimit nga pjesëtarë të UÇK-së. Shënjesrtimi nga ana e Thaçit e këtyre tre dëshmitarëve ishte që të përgatiste narrativen e preferuar të tij, ku ai nuk kishte përgjegjësi për veprat penale  të paraqitura në çështjen 06”, tha Hafetz.

Prokurori: Dëshmia e Rrustem Mustafës ishte në shënjestër të ndërhyrjeve të Thaçit

1 muaj më parë / 10 sht 2026 11:59 Nga: Blendina Veliqi
Joshua Hafetz

Prokurori, Joshua Hafetz

Prokurori special, Joshua Hafetz ka deklaruar se dëshmia e Rrustem Mustafës në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin për krime lufte, ishte në shënjestër të ndërhyrjeve nga ana e Thaçit.

“Mustafa dhe dëshmia e tij ishin në shënjestër të udhëzimeve të ndërhyrjes së Thaçit të cilat synoni në një pjesë të madhe të sigurohej që z. Mustafa të krijonte një distancë në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave që përputhej me narrative e Thaçit”, ka thënë ai.

Hafetz tha se Mustafa është quajtur si dëshmitar kyç edhe gjatë vizitës së 2 korrikut të vitit 2023.

Prokurori tha se nuk është i diskutueshëm fakti se Hajredin Kuçi  i ka dërguar Rrustem Mustafës mesazhin e 12 prillit të 2023-ës.

Ai tha se kur u dërgua mesazhi, Kuçi ishte anëtarë i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit.

“Nuk mund të kundërshtohet në mënyrë të arsyeshme se protokolli i kontaktit në çështjen 06 parandalonte kontaktin e mbrojtjes me dëshmitarët e ZPS-së përveç në rastet kur kishte autorizim gjyqësor. Nuk ka pasur autorizim gjyqësor që Kuçi të mund të kontaktonte z.Mustafa. Kjo ishte e ndalur dhe veprimi i Kuçit shkeli protokollin në çështjen 6 i cili ishte urdhër përfundimtar të cilin ai duhej ta respektonte”, tha ai.

Hafetz tha se Kuçi është jurist, profesor, ish-ministër i drejtësisë e njohës i ligjit. Sipas tij, Kuçi i njihte rregullat dhe i shkeli ato.

Hafetz shtoi se veprimi i Kuçit tregon për mosbindje ndaj Gjykatës dhe duhet të ndëshkohet ashtu siç e kërkon Prokuroria.

“Kjo ishte mosbindje ndaj Gjykatës. Të sugjerohet se ai nuk e dinte se kjo ishte objekt i një urdhri të qartë nga ana e Gjykatës dhe në një mënyrë të pakujdesshme ka dërguar një mesazh tejet të rëndësishëm ndaj një dëshmitari të rëndësishëm që do vinte në gjykatë lidhur me krime lufte të rënda dhe krime kundër njerëzimit, në një gjykim të tillë që filloi pak ditë më parë se ai të dërgonte mesazhin, e gjitha kjo është vështirë të besohet. Ky veprim në vetvete siç është, duhet të ndëshkohet sipas ndëshkimit që kërkon ZPS-ja”, tha Hafetz.

Hafetz thotë se marrëdhënia e Kuçit me Thaçin është e afërt. Ai këtë argument e mbështetë duke thënë se Kuçi e thërret më shumë se 90 herë Thaçin me emërtimin “boss” në vizitat e tij. Ndërsa, Thaçi sipas tij e thërret Kuçin me emërtimin e shkurtë “Hajrë” në më shumë se 50 herë.

Hafetz: 28 orë incizime në nëntë vizita për katër muaj

1 muaj më parë / 10 sht 2026 11:09 Nga: Blendina Veliqi
Hafetz thaci hague

Prokurori Joshua Hafetz tha se Hashim Thaçi në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë informacione konfidenciale dhe ka shkelur rregullat e kësaj gjykate.

Hafetz deklaroi se në këtë çështje gjyqësore janë pranuar rreth 28 orë incizime të Thaçit të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në një periudhe prej katër muajsh. 

“Bashkë të akuzuarit, shokë të vjetër të Hashim Thaçit, secili prej tyre iu bashkua z. Thaçit në këtë veprim”, tha Hafetz.

“Ajo që kishte rendësi për Thaçin dhe të bashkë të akuzuarit është që dëshmitarët që kishte zgjedhur Thaçi për ndërhyrje  duhet të thonin dhe të bënin atë që donte Thaçi”.

Ai tha se të gjitha komentet e mbrojtjes të dhëna që nga fillimi lidhur me këtë çështje, e kanë shmangur këtë realitet që sipas tij është i thjeshtë.

“Të gjitha komentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur realitetin, këtë realitet kaq të thjeshtë. Pra, ta largonin vëmendjen e Gjykatës nga këto fakte që kishte para syve. Me fjalë të tjera ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme Gjykatën. Mbrojtja do që kjo Gjykatë ta fusë kokën në rërë dhe të mos shoh atë që është përpara syve”, tha Hafetz.

Ai tha se faktet nuk mund të fshihen pasi sipas tij, veprimtaria penale është e incizuar brenda qendrës së paraburgimit.

“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Arsyeja është se vizitë pas vizite, Thaçi ka folur  me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë  duhet të iu thonin vizitorët dëshmitarëve. Këtë e ka bërë me muaj të tërë dhe udhëzimet e tij e kishin një praktikë të ngjashme; për të zbehur akuzat në çështjen 06”, tha Joshua Hafetz.

Sipas Hafetz, mbrojtja ka sugjeruar që trupi gjykues nuk mund të mbështetët në asnjë pjesë të asnjë transkripti dhe pretendon se të gjitha orët e incizimit duhet të lihen me një anë.

Ka shtuar se  në këtë pikë, mbrojtja mbështetët në një dëshmitare e cila ka dëgjuar pjesë të pacaktuara të transkriptimeve dhe që ka pasur mundësi që të krijojë vetëm përshtypje.

Hafetz tha se kjo dëshmitare nuk ka qenë në gjendje që t’iu përgjigjet as pyetjeve bazë për metodologjinë që ka përdorur për hulumtimin e saj.

Ai tha se kjo dëshmitare nuk flet dhe as nuk kupton shqip si dhe nuk e din dallimin e faktit dhe ekzistencën e dialekteve toskë dhe gegë të gjuhës shqipe.

Në linjën e argumenteve për këtë dëshmitare, Hafetz tha se ajo kishte kërkuar ndihmë prej mbrojtjes për interpretimet në gjuhën shqipe, ndihmë të cilën nuk e kishte marrë. 

Në rrjedhë të kësaj, sipas Hafetz, e njëjta dëshmitare kishte përdorur inteligjencën artificiale si të vetmin parametër për të dalë në përfundimet e raportit të saj.

“Një dëshmitare që nuk është fare e trajnuar për sa i takon funksionimit dhe përdorimit të sistemit të inteligjencës artificiale”, tha ai.

“Fillimisht dua të fillojë me vizitën e Fadil Fazliut te Thaçi. Atëherë faktet e kësaj vizite dhe provat konfirmuese janë mikrokozmos i kësaj çështje dhe provat tregojnë se si Thaçi ishte drejtuesi dhe organizuesi i pengimit të çështjes 06. Vizita e incizuar dëshmon përpjekjet e mbrojtjes për të devijuar dhe ngatërruar procesin”, ka thënë ai.

Hafetz tha se Thaçi dhe Fazliu ishin në një dhomë në të cilën kanë planifikuar, janë pajtuar si dhe kanë ndërmarrë hapa konkret duke përfshirë edhe përdorimin e Fahri Fazliut (djali i Fadil Fazliut) për të ndërhyrë me dëshmitarët në çështjen 6.

“Ditën e nesërme pas vizitës, pasi Thaçi i kishte përsëritur udhëzimet Fazliut, Fazliu shkoi në Kosovë dhe ai dhe djali i tij bën komplet atë për të cilën ishin pajtuar me Thaçin. Ata u takuan me z.Mustafa- një dëshmitar kyç në çështjen 06”, tha ai.

Pas kësaj deklarate, Hafetz i parashtroi argumentet e veta duke shfaqur herë pas here pjesë nga audio-incizimet të cilat veç janë publikuar edhe gjatë periudhës së paraqitjes së provave.

Prokuroria në Speciale: Thaçi formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

1 muaj më parë / 10 sht 2026 10:41 Nga: Blendina Veliqi
hashim thaci

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë ka filluar dhënia e deklaratave përfundimtare.

Me deklaratë përfundimtare ka nisur kryeprokurorja Kimberly West e cila tha se në rastin e Thaçit ka orë incizime dhe dokumente që dëshmojnë pengimin e drejtësisë.

Ajo tha se Thaçi formoi grupe të vogla me bashkë të akuzuarit të cilët kishin njohje me dëshmitarë të caktuar.

Sipas saj, synimi i tyre ishte që të bëheshin dëshmitë në mënyrë të atillë që të pajtoheshin me dëshirat e Thaçit se si duhej të ishin dëshmitë e tyre.

“Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë po aq e komplikuar. Nga një anë kemi çështjen për një person që po përballët me akuza të rënda që ka mundësi për t’u dënuar për një kohë të gjatë. Bashkë me punëtorë të tij u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orësh incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha Kimberly West. “Të përballësh me akuza që përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe duke qenë në paraburgim pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit Hashim Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit, shokët e devotshëm, idealistet e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë dëshmia e të cilëve sipas tij ishte përfundimtare për përfundimin e kësaj çështje gjyqësore për krime lufte”.

Sipas West, në një mënyrë ose tjetër, dëshmitarët duhet të kuptonin direktivën e Thaçit e cila ishte “mos shkaktoni asnjë dëm atje. 

“Dëmi në thonjëza ishte dëshmia që mund të implikonte Thaçin në vepra penale dhe atje në thonjëza nënkuptonte këtë Gjykatë”. “Thaçi udhëzoi të bashkë të akuzuarit se si dëshmitarët duhet të thjeshtonin ndryshimet e nevojshme në deklaratat e mëparshme në mënyrë që të përshtateshin me narrative e pëlqyer nga z.Thaçi. Për shembull që dëshmitari të thoshte se deklarata ka pasur probleme përkthimi ose që ka qenë i lodhur dhe i ka ngatërruar gjërat, a po që kanë qenë thjeshtë thashetheme”.

“Me muaj të tërë, të akuzuarit në mënyrë të përsëritur të gatshëm dhe ndonjëherë duke u tallur shpërfillen rregullat, vendimet, dispozitat që synonin të mbronin fshehtësinë dhe integritetin e procesit”, tha Kimberly West.