Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gruda: Kushtetuesja e Speciales s’do të ketë juridiksion për të shfuqizuar ndryshimet në ligj

perparim gruda

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Dhomës së Specializuar  në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nëse miratohen ndryshimet e propozuara nga PDK-ja.

Gruda ka thënë se me ndryshimet e propozuara është hequr shprehimisht kompetenca e Dhomës së Specializuar Kushtetuese për kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.

“Po shoh shumë reagime lidhur me mundësinë që, pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, ligji të dërgohet në Dhomën e Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe eventualisht të shfuqizohet. Po e sqaroj: me ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Grudës, kjo është përcaktuar në nenin 23 të projektligjit, i cili, sipas tij, kufizon juridiksionin e Dhomës Kushtetuese në Hagë vetëm në referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat apo aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai ka cituar edhe Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, duke thënë se ky përcakton se Dhoma e Specializuar Kushtetuese vendos për referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar “në përputhje me ligjin e veçantë”.

“Pikërisht mbi këtë bazë, me nenin 23 të projektligjit tonë e kemi përcaktuar shprehimisht kufirin e juridiksionit të Dhomës Kushtetuese në Hagë”, ka thënë Gruda.

Ai ka theksuar se projektligji përcakton që kontrolli i kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe i ligjeve që e ndryshojnë, plotësojnë ose shfuqizojnë Ligjin Nr. 05/L-053, i takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.

Edhe Gruda: Do ta gjejmë rrugën për ta detyruar Specialen ta zbatojë ligjin e Kosovës Arbëri Gruda: Do ta gjejmë rrugën për ta detyruar Specialen ta zbatojë ligjin e Kosovës

“Prandaj, sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj. Ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm”, ka deklaruar Gruda.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria i ktheu përgjigje Kuvendit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Tani duhet të mblidhet Komisioni për Legjislacion, para se ndryshimet të përcillen në Kuvend për votim në lexim të parë.

PDK-ja inicioi ndryshimet ligjore, pas verdiktit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me anë të ndryshimeve ligjore në PDK synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.