Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta kufizuar deri në tre herë votimin e kandidatit të njëjtë për kryetar të Kuvendit bazohet në parimet dhe metodat e interpretimit kushtetues.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi të gjatë ditën e djeshme ku akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po mban anë, ndër të tjera ka thënë se pse dhe ku është bazuar kjo gjykatë që e ka kufizuar deri në tre herë votimin e kandidatit të njëjtë për kryetar të Kuvendit.
Në një status në Faceboon të shtunën, Gruda ka thënë se interpretimi i Kushtetutës nuk është thjesht lexim i tekstit, por mbushje e boshllëqeve që dokumenti nuk i parashikon në mënyrë eksplicite, duke iu përshtatur ndryshimeve shoqërore e politike.
Gruda përmendi doktrinën e “konstitucionalizmit të gjallë” dhe citime nga ish-kryetarët e Gjykatës Supreme të SHBA-së, John Marshall dhe Charles Evans Hughes, për të argumentuar se Kushtetuta është një dokument evolutiv dhe kuptimi i saj përcaktohet nga gjykatat.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përdorur metodën e analogjisë për të vendosur kufirin prej tre votimesh, duke u mbështetur në tre raundet e parashikuara nga Kushtetuta e Kosovës për zgjedhjen e presidentit dhe praktikat e kushtetutave të vendeve evropiane që kanë kufizime të ngjashme.
“Numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese”, ka shkruar Gruda.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i bërë publik të premten, ka përcaktuar se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve, se një kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në procesin e votimit.