Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi të gjatë e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Sipas partisë fituese në zgjedhjet e fundit, vendimi i kësaj gjykate pasqyron motive partiake dhe se ka sfiduar vullnetin popullor.
Sipas LVV-së, “njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”. Ata theksojnë se Gjykata, si organ i pavarur, ka detyrë të interpretojë dhe kontrollojë përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën brenda juridiksionit të saj.
LVV-ja pretendon se njoftimi nuk ka sqaruar asgjë tjetër “veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese” dhe ka shpikur “norma të reja juridike” pa bazë kushtetuese. Ata e akuzojnë Gjykatën për “ndërhyrje substanciale në kompetencat e Kuvendit” duke cenuar rendin kushtetues.
Në reagim thuhet se miratimi dhe ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm nga Kuvendi ose përmes referendumit popullor, dhe se anëtarët e Gjykatës nuk kanë të drejtë të marrin këtë rol.
“Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
LVV-ja pyet se në cilin dokument kushtetues, rregullore të Kuvendit, aktgjykim apo jurisprudencë ndërkombëtare bazohet norma e re e vendosur nga Gjykata, që e kufizon propozimin e të njëjtit kandidat vetëm në tre herë.
“Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë?”, pyesin ata, duke shtuar se gjykata ka shpikur arbitrarisht rregulla.
Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e quan vendimin “rast të paprecedentë” dhe “ndërhyrje flagrante” në kompetencat e Kuvendit. Ata theksojnë se Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit ose amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, pasi kjo përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.
Sipas LVV-së, rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata nuk mund të jenë pjesë e asnjë aktgjykimi nëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetutë ose në Rregulloren e Kuvendit. Ata pretendojnë se vendimi “pasqyron motive partiake”, dhe se sa herë që LVV-ja duhet të veprojë sipas rregullave të vendosura nga vetë gjykata në raste analoge, “ato rregulla po ndryshohen”.
Ata kritikojnë edhe përmendjen e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke e quajtur “fokus të panevojshëm” dhe “etiketim politik sipas fjalorit të partive opozitare”. Sipas LVV-së, kryesuesi nuk është subjekt kushtetues, por vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit.
LVV-ja ka thënë se nëse kryesuesi i seancës ka vepruar gabimisht në procedurat për votimin e komisionit për votim të fshehtë, “pse Gjykata nuk e konstatoi këtë shkelje në aktgjykimin e shpallur më 26 qershor”, pas datës kur ishin ndërmarrë këto veprime.
Në fund, Vetëvendosje e akuzon Gjykatën Kushtetuese se “ka zgjedhur të mbajë anë, duke prekur parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor”. Ata e quajnë vendimin “paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.
