Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ata kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për shkelje të Kushtetutës. Ndërkohë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë hedhur akuza ndaj Gjykatës. Kushtetuesja ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Deputetja e VV-së – Prattipatit: S’është mirë nëse e vizituat Kushtetuesen një ditë para njoftimit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni në vazhdën e kritikave ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive, ka përmendur edhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.
“E nderuara zonja Prattipati, nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për Aktgjykimin”, ka shkruar ajo në .
Nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nëse Prattipati ka vizituar Kushtetuesen këto ditë.
KOHA ka dërguar pyetje të premten në mbrëmje në Ambasadën e SHBA-së për deklarimin e Kryeziu-Hysenit, dhe për aktvendimin e Kushtetueses. Sapo të ketë përgjigje, do të publikohen artikuj me qëndrimet amerikane.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.
Ky vendim është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se po mban anë dhe po sfidon vullnetin popullor.
Çitaku i reagon VV-së: Nuk do ta lejojmë delegjitimimin e institucioneve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se nuk do të lejojnë që Lëvizja Vetëvendosje të deligjitimojë institucionet.
Çitaku e ka bërë reagimin pas akuzave të LVV-së ndaj Gjykatës Kushtetuese, për të cilën thanë se po mban anë.
Kjo qasje, sipas deputetes së PDK-së, është rrezik për demokracinë.
“Tendencat e LVV-së për të përmbysur rendin kushtetues nuk po ndalen. Reagimi i tyre i sotëm e dëshmon qartë këtë. Filluan me sulme denigruese e personale ndaj gjyqtarëve një nga një, e vazhduan me komunikatë zyrtare. Kjo qasje është rrezik për demokracinë dhe për gjithçka që është ndërtuar në këtë vend me shumë sakrificë e mund. Qëllimi i tyre tashmë është i qartë: delegjitimimi i çdo institucioni dhe i vetë demokracisë. Por kjo mendësi nuk do të kalojë. Nuk do ta lejojmë”, ka thënë ajo.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.
Vetëvendosja akuzon Kushtetuesen se po mban anë: Ka sfiduar vullnetin popullor
Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi të gjatë e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Sipas partisë fituese në zgjedhjet e fundit, vendimi i kësaj gjykate pasqyron motive partiake dhe se ka sfiduar vullnetin popullor.
Sipas LVV-së, “njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”. Ata theksojnë se Gjykata, si organ i pavarur, ka detyrë të interpretojë dhe kontrollojë përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën brenda juridiksionit të saj.
LVV-ja pretendon se njoftimi nuk ka sqaruar asgjë tjetër “veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese” dhe ka shpikur “norma të reja juridike” pa bazë kushtetuese. Ata e akuzojnë Gjykatën për “ndërhyrje substanciale në kompetencat e Kuvendit” duke cenuar rendin kushtetues.
Në reagim thuhet se miratimi dhe ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm nga Kuvendi ose përmes referendumit popullor, dhe se anëtarët e Gjykatës nuk kanë të drejtë të marrin këtë rol.
“Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
LVV-ja pyet se në cilin dokument kushtetues, rregullore të Kuvendit, aktgjykim apo jurisprudencë ndërkombëtare bazohet norma e re e vendosur nga Gjykata, që e kufizon propozimin e të njëjtit kandidat vetëm në tre herë.
“Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë?”, pyesin ata, duke shtuar se gjykata ka shpikur arbitrarisht rregulla.
Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e quan vendimin “rast të paprecedentë” dhe “ndërhyrje flagrante” në kompetencat e Kuvendit. Ata theksojnë se Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit ose amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, pasi kjo përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.
Sipas LVV-së, rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata nuk mund të jenë pjesë e asnjë aktgjykimi nëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetutë ose në Rregulloren e Kuvendit. Ata pretendojnë se vendimi “pasqyron motive partiake”, dhe se sa herë që LVV-ja duhet të veprojë sipas rregullave të vendosura nga vetë gjykata në raste analoge, “ato rregulla po ndryshohen”.
Ata kritikojnë edhe përmendjen e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke e quajtur “fokus të panevojshëm” dhe “etiketim politik sipas fjalorit të partive opozitare”. Sipas LVV-së, kryesuesi nuk është subjekt kushtetues, por vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit.
LVV-ja ka thënë se nëse kryesuesi i seancës ka vepruar gabimisht në procedurat për votimin e komisionit për votim të fshehtë, “pse Gjykata nuk e konstatoi këtë shkelje në aktgjykimin e shpallur më 26 qershor”, pas datës kur ishin ndërmarrë këto veprime.
Në fund, Vetëvendosje e akuzon Gjykatën Kushtetuese se “ka zgjedhur të mbajë anë, duke prekur parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor”. Ata e quajnë vendimin “paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.
LVV: Vendimet e Gjykatës s’bazohen në Kushtetutë, por në atë se cila parti është në pyetje
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që votimi për kryetar të Kuvendit të jetë i hapur dhe se kandidati i njëjtë mund të votohet tri herë.
Murati e ka quajtur të padrejtë këtë vendim, duke e akuzuar Kushtetuesen se synon që t’ia sigurojë “gardës së vjetër në tavolinë atë që nuk ua dha populli me votë”.
“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje”, ka shtuar ai.
Murati ka thënë se më 2014 kjo gjykatë ishte bërë vegël e PDK-së dhe ka tentuar që me çdo kusht ta mbajë në pushtet me anë të disa vendimeve.
“Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe disa raste të tjera që, sipas tij, kjo gjykatë ka marrë vendime jo të drejta.
“Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje. Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje. E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021. Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”, ka thënë ai.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka hedhur akuza ndaj gjyqtarëve duke thënë se 5 nga 6 prej tyre janë nga koha e kur në qeveria kanë qenë PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma.
Sipas saj është e kotë që të fitohen zgjedhjet.
“Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më. Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari. 6 gjyqtarë, nga të cilët 5 nga koha e PAN-it dhe njëri i lidhur me Serbinë, shkelin vullnetin e popullit, riinterpretojnë vendimin e vet dhe gjejnë shkelje veçse te Avni Dehari”, ka shkruar Bogujevci.
AAK: Aktgjykimi i Kushtetueses e qartësoi se Kosova s’mund të bëhet diktaturë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për bllokadën në Kuvend ka fituar demokracia, e “u rrëzua diktati”.
Ai ka shtuar se Vetëvendosja duhet ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe të procedohet me votim të hapur.
“Me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese një gjë është e qartë: Kosova nuk është dhe nuk mund të bëhet diktaturë. VV duhet ta propozojë kandidatin-en për Kryeparlamentar dhe deputetët të votojnë në votim të hapur. Nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozim vetëm të një kandidati. Nuk mund të mbahet peng shteti vetëm për ambicie të sëmurë të një personi”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Vendimi i Kushtetueses, LDK: Fitore e madhe e demokracisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur fitore të madhe të demokracisë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive.
“Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai në Facebook.
E, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka vërtetuar atë që ka thënë partia e saj vazhdimisht. Kushtetuesja ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Ajo ka shtuar se nuk mund të ketë demokraci në një shtet ku nuk respektohet Kushtetuta dhe ligji.
“Prej ditës së parë e kemi thënë këtë që e vërtetoi Gjykata Kushtetuese sot: Albin Kurti e ka detyru Avni Deharin me shkelë Kushtetutën; I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë - Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër; Deputetët duhet të marrin pjesë në votim; Votimi duhet të jetë i hapur – Kushtetuesja mbështetë transparencën, sepse ne jemi përfaqësuese të qytetarëve dhe ata kanë të drejtë të shohin se kush për kë voton”, ka shkruar ajo në Facebook.
Bajrami ka thënë tutje se “Kushtetuta e Ligji janë mbi lojërat politike, s'ka demokraci aty ku s'ka repspektim të Kushtetutës dhe të Ligjit”.
PDK: Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka vërtetuar se LVV-ja e ka mbajtur peng Kuvendin duke e bllokuar “qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti”.
Siç ka thënë ai, gjykata konfirmoi se bllokada e LVV-së ishte antikushtetuese dhe e dëmshme për shtetin.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Prandaj, le të jetë ky një mësim i qartë për të gjithë, e veçanërisht për ata që nuk kanë ditur kurrë ta respektojnë shtetin: Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për lidership që respekton rregullat, jo që i shkel ato për pushtet. Ne do të jemi gjithmonë në anën e Kushtetutës dhe të qytetarëve. Ky vendim është fitore për rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam”, ka shkruar ai në Facebook.
E, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Gjykata Kushtetuese dha verdiktin që e prisnin.
Kushtetuesja ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
“Kishim të drejtë TËRË KOHËN: Qeverisja e Albin Kurtit, përmes Avni Deharit, ka shkelur Kushtetutën në secilën seancë që nga 1 maji. Detyruan votim të fshehtë dhe na mohuan të drejtën për votë të hapur për kryetar Kuvendi”, ka shkruar Deliu-Kodra në Facebook.
Ajo ka thënë se ky është një dështim i rëndë institucional dhe mungesë totale respekti ndaj ligjit dhe demokracisë.
“Kosova meriton udhëheqje me përgjegjësi dhe respekt për Kushtetutën, jo shkelje të qëllimshme e të përsëritura!”, ka shkruar ajo