Analisti politik Ejup Gojnovci vlerëson se Gjykata Kushtetuese, me vendimin që ka marrë në rastin për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit joshumicë serb, i ka dhënë Listës Serbe një fuqi për ta sabotuar shtetin e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin.
“Tani me këtë vendim Gjykata Kushtetuese, i ka dhënë Listës Serbe fuqi shtesë...për ta sabotuar e shantazhuar shtetin e Kosovës sa herë që diçka do të varet nga ajo, në këtë rast në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Gojnovci në “Konfront” të KTV-së.