Arbëri

Live: Aktgjykimi për nënkryetarin serb, në harmoni apo në kundërshtim me Kushtetutën?

Hyseni: Rregullorja e Punës së Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën

58 min. më parë / 29 jan 2026 21:04
Flamur Hyseni

Profesori universitar Flamur Hyseni ka thënë se Rregullorja e Punës së Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në “Konfront” të KTV-së, Hyseni ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese se e drejta e propozimit për nënkryeparlamentar nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij komuniteti. Ai ka thënë se problematika në këtë rast qëndron te Rregullorja.

Sipas tij, mosvotimi i një kandidati është shprehje e qëndrimit politik dhe nuk duhet të ndërlidhet me çështjet që janë trajtuar nga Kushtetuesja.

“Çështja që është me rëndësi, është se Rregullorja e Punës është në kundërshtim me Kushtetutën. Rregullorja është gabim. Tek Rregullorja ka probleme sepse ka prekur çështje të materies kushtetuese për çka nuk është dashur. Ajo është në kundërshtim me nenin 76”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Rregullorja “ka synuar të rregullojë apo interpretojë dispozita kushtetuese”.

“Këtu ka rregullim të dyfishtë. Diçka tjetër thotë Kushtetua neni 67 posaçërisht paragrafi 4 dhe diçka tjetër neni 76 në Kushtetutë, e kur e lexon Rregulloren kemi rregull të dyfishtë. Cila është logjika që rregullorja të ketë fuqi më shumë se Kushtetuta? Rregullorja është e natyrës organizative. Puna e kuvendit, funksionimi i i tij, por jo edhe materia kushtetuese që është e rregulluar në aktin më të lartë juridiko-politik. Në vendim përmendet 10 herë rregullorja, një herë Kushtetuta”, ka thënë ai.

Gojnovci: Kushtetuesja me këtë vendim e ka fuqizuar Listën Serbe për ta sabotuar Kosovën

1 o. më parë / 29 jan 2026 20:40
Ejup Gojnovci

Analisti politik Ejup Gojnovci vlerëson se Gjykata Kushtetuese, me vendimin që ka marrë në rastin për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit joshumicë serb, i ka dhënë Listës Serbe një fuqi për ta sabotuar shtetin e Kosovës. 

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin. 

“Tani me këtë vendim Gjykata Kushtetuese, i ka dhënë Listës Serbe fuqi shtesë...për ta sabotuar e shantazhuar shtetin e Kosovës sa herë që diçka do të varet nga ajo, në këtë rast në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Gojnovci në “Konfront” të KTV-së.

Dugolli: Vendimi i Kushtetueses, djallëzor - i shkon në favor Listës Serbe

1 o. më parë / 29 jan 2026 20:33
Bujar Dugolli

Bujar Dugolli, profesor në Universitetin e Prishtinës, e ka cilësuar djallëzor vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilën u shpall kundërkushtetuese mënyra e zgjedhjes së Nenad Rashiqit, nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Të mërkurën, Kushtetuesja e shpalli kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe tha se e drejta e propozimit i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb. Në këtë rast, nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, 9 janë të Listës Serbe.

Sipas Dugollit, vendimi i fundit e komplikon atë paraprak që ia ka pamundësuar subjekteve të shtyjnë në pakufi bllokadën duke e vendosur parimin e votimit deri në tri herë për një kandidat. “Por kur ke 10 kandidatë dhe njëri subjekt refuzon, atëherë duhet të ketë mekanizëm zhbllokimi sepse s’mund të mbesin të gjitha institucionet e Kosovës peng i një deputeti që nuk i merr votat”, ka thënë ai fillimisht në “Konfront” të KTV-së.

Tutje Dugolli ka thënë se vendimi i shkon në favor Listës Serbe.

“Ky vendim nuk është i mirë. I shkon për favori Listës Serbe. Ndoshta është bërë me qëllime djallëzore për ta krijuar një krizë të re, duke ditur qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai duke shtuar se nga kjo situatë “duhet të dilet me mençuri”.