Vendimi i Kushtetuese që e rrëzoi procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit dhe ia njohu të drejtën e propozimit shumicës së deputetëve serbë, mund të hapë një krizë të re politike, nëse nuk zbatohet. Sipas njohësve, Kushtetuesja nuk u ka lënë deputetëve opsion tjetër pos votimit pro të nënkryetarit serb, që në këtë rast vjen si propozim nga Lista Serbe
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb mund të shkaktojë krizë të re politike po qe se nuk respektohet nga deputetët, vlerësojnë njohës të çështjeve politike.
Të mërkurën, Kushtetuesja e shpalli kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe tha se e drejta e propozimit i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb.
Sipas Melos Kolshit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Gjykata nuk u ka dhënë deputetëve opsion tjetër pos atij për votimin e një kandidati, që në këtë rast propozohet nga Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kuvend.
“Çdo propozim i cili vjen nga ata nëntë deputetë është propozim i cili duhet përkrahur edhe nga shumica shqiptare për arsye që është jashtëzakonisht i ditur fakti që shumica shqiptare nuk mund t’ia imponojë pakicës serbe se kë e vendos për nënkryetar. Kështu që atyre u mbetet vetëm ta përkrahin”, ka thënë Kolshi.
Por në rast se shumica shqiptare nuk e mbështet sërish asnjë nga 9 kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar dhe në rast se kjo parti si shumicë brenda komunitetit refuzon të propozojë deputetin e dhjetë serb, Nenad Rashiqin, vendi do të hyjë në bllokadë të re, ka thënë hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku.
“E para nuk ka konstituim të parlamentit pa e zgjedhur edhe nënkryetarin e pestë, qoftë i Listës Serbe, qoftë i komuniteteve të tjera. E dyta mund të shkojë procedura që të zvarritet edhe në atë kuptim që të shkelet afati 30- ditor i konstituimit të Kuvendit sepse mund të ndodhë që seanca të ndërpritet, të vazhdohet seancë tjetër dhe kështu të konsumohet afati 30- ditor”, ka thënë Bugaqku.
Edhe pas disa aktgjykimesh që Kushtetuesja ka nxjerrë gjatë kohës sa Kuvendi nuk ishte i konstituuar, sipas Bugaqkut, anëtarët e Gjykatës nuk i kanë sqaruar pasojat juridike të mosfunksionalizimit të tij brenda afatit 30-ditor.
“Këtu kemi një vërejtje të Gjykatës Kushtetuese, sepse edhe në këtë njoftim aktualisht që e kemi, nuk po duket që Gjykata e ka sqaruar pasojën juridike se çka ndodh nëse ky afat 30-ditor nuk respektohet dhe nuk konstituohet Kuvendi. A shkojmë në zgjedhje, a u merret mandati deputetëve apo cila është pasoja kushtetuese juridike dhe politike që mund t’u atribuohet këtyre përfaqësuesve të popullit”, ka thënë ai.
Njoftimi për vendimin me të cilin Kushtetuesja e shpalli zgjedhjen e Rashiqit antikushtetuese ishte përgjigje ndaj ankesës së Listës Serbe.