Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësimin lidhur me procedurën dhe përmbajtjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë - i cili u miratua nga Qeveria më 8 mars, tetë muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene të tij.
GLPS ka thënë se i gjithë angazhimi dhe procedura e miratimit të këtij projektligji ka qenë totalisht jotransparente.
“Ne mbesim të shqetësuar se si një proces i tillë është realizuar në heshtje të plotë, pa përfshirjen e palëve të treta dhe absolutisht në kundërshtim me rregullat dhe parimet për konsultime publike. Theksojmë se i njëjti projektligj nuk është publikuar fare në platformën për konsultime publike, dhe rrjedhimisht, palët e treta nuk kanë pasur fare informacion mbi ndryshimet dhe plotësimet e propozuara nga ana e Qeverisë, apo MPB-së në këtë rast”, thuhet në reagimin e GLPS-së.
Sa i përket përmbajtjes, GLPS ka shtuar se projektligji përveç që nuk ndjek Urdhrin e përcaktuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të lëshuar me datë 12 shtator 2023, i njëjti zgjeron objektin e ndryshimit si dhe devijon këtë Urdhër duke keqinterpretuar vet frymën e këtij Aktgjykimi.
“Ky projektligj i propozuar së fundmi përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike të cilat duhet të jenë pjesë e fushëveprimit të LZP-së. GLPS konsideron se ky përjashtim është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD. E njëjta vlen edhe me dhënien e statusit të veçantë të disa kategorive në mënyrë të gabuar”, ka theksuar tutje.
Sipas GLPS-së, zgjatja e afatit deri në 2 vjet për ushtruesit e detyrës është tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.
“Madje i njëjti ka parashikuar mekanizmin që brenda vetëm një muaji të përshtaten vendimet për UD-të aktual në mënyrë që vazhdohet kjo praktikë. Shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku 2 kandidat duhet t`i plotësojnë kushtet për Nivelin e Lartë Drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë”, është shprehur GLPS.
GLPS i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të fillojnë një proces të ri të hartimit të politikave të shërbimit publik në përputhje me parimet moderne për administratë publike. Po ashtu, ka kërkuar që Qeveria të tregojë kujdes të shtuar në sigurimin e një qasje gjithëpërfshirëse, të bazuar në prova dhe analizë të mirëfilltë të të gjitha opsioneve më të mira dhe të përshtatshme, që ndër të tjera, garantojnë profesionalizëm, meritokraci dhe stabilitet të shërbimit publik.
Po ashtu, ka gjetur defekte te pikat për listën pritëse dhe mandatet për nëpunësit civilë. GLPS ka theksuar se projektligji kufizon mandatin e shërbyesve civilë të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese për nëpunësit aktual, gjë që është në kundërshtim të plotë me Aktgjykimin.
“Tek lista pritëse, vendosja e marrëveshjes për pranim të nëpunësve civilë (sipas paragrafit 3 te nenit 67) nga institucioni që supozohet t`i pranoj nëpunësit civilë tepricë në mënyrë diskrecionale, pa ndonjë detyrim ligjor, është shumë e rrezikshme dhe me qëllim mund të shpie në situata që institucionet mos t`i pranojnë nëpunësit tepricë dhe të njëjtit në mënyrë masive të largohen nga shërbimi civil për shkak të kalimit të afatit 9 mujor të përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 67 të po këtij projektligji. Kthimi i mandateve për nëpunësit civil aktual sipas paragrafit 3 të nenit 17 të projektligjit për kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese në kundërshtim të plotë me pikën IX të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar GLPS.