Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

CSL-ja kërkon shfuqizimin e rregullores për procedurë të pranimit në shërbim civil

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka kërkuar nga Gjykata Supreme shfuqizimin e Rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil, që u miratua nga Qeveria në detyrë vitin e shkuar e që ka hyrë në fuqi më 9 janar sivjet.

Sipas një njoftimi nga CSL-ja, rregullorja bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe se disa dispozita të saj cenojnë parimet e Ligjit për zyrtarët publikë. Sipas ankesës, shfuqizimi duhet të ndodhë sepse rregullorja u miratua në kohën kur qeveria ishte në detyrë dhe ministrat dhe kryeministri kanë qenë të certifikuar edhe si deputetë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“Tashmë e konfirmuar edhe me praktikën gjyqësore, Gjykata Supreme ka shfuqizuar akte nënligjore normative të miratuara nga zyrtarët që ushtrojnë njëkohësisht funksione ekzekutive dhe legjislative, duke e konsideruar këtë rrethanë si shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës dhe cenim të parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”, thuhet në njoftim.

CSL-ja ka thënë se disa dispozita të Rregullores bien në kundërshtim edhe me frymën e transparencës së proceseve rekrutuese në shërbimin civil të përcaktuar me Ligjin për Zyrtarët Publik (LZP).

“Këto dispozita ndalojnë publikimin e çfarëdo të dhëne për kandidatët që aplikojnë dhe për ata që e kalojnë fazën e verifikimit paraprak, kurse kufizojnë publikimin e listës përfundimtare vetëm me numër unik të kandidatëve. Si Paditës, vlerësojmë që mos publikimi ose kufizimi i publikimit të të dhënave të kandidatëve për këto pozita, cenon parimet mbi të cilat duhet të zhvillohen proceset e pranimit në punë të zyrtarëve publik dhe interesin publik në raport me këta kandidatë”, thuhet në komunikatë.

Kjo rregullore përcakton rregullat dhe procedurat për rekrutimin e kandidatëve për pranimin në shërbimin civil, themelimin e komisioneve, vlerësimin dhe emërimin e kandidatëve në shërbimin civil.