Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

AKK-ja kundër Rregullores së re për rekrutimin e nëpunësve civilë

akk

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar sfidimin në Gjykatën Kushtetuese të Rregullores për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, e miratuar nga Qeveria më 9 janar. Në AKK vlerësojnë se rregullorja cenon autonominë lokale, pasi pretendojnë se i jep kompetenca Ministrisë së Punëve të Brendshme në procedurat e rekrutimit në nivel komunal

Në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) kanë paralajmëruar të mërkurën se do ta sfidojnë në Gjykatën Kushtetuese Rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, e miratuar nga Qeveria më 9 janar të këtij viti.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit, Sazan Ibrahimi, rregullorja parasheh që procedurat e rekrutimit të shërbyesve civilë në nivel lokal të zhvillohen nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e jo nga vetë komunat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“DMZP-ja është një departament për menaxhimin e zyrtarëve publikë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do t’i zhvillojë procedurat e rekrutimit edhe për nivelin lokal, sepse i ka paraparë kjo rregullore se janë disa institucione të tjera të Republikës së Kosovës ku procedurat e rekrutimit i zhvillojnë departamentet përkatëse për burime njerëzore, por në këtë fushëveprim nuk përfshihen edhe komunat”, ka thënë Ibrahimi.

Por në një përgjigje për KOHËN, nga Zyra e Kryeministrit kanë mohuar pretendimet e AKK-së. 

Në përgjigje thuhet se rregullorja ka centralizuar procedurat e rekrutimit vetëm për Zyrën e Kryeministrit, ministritë dhe agjencitë në kuadër të ekzekutivit.

“Prandaj, sipas Rregullores, procedura e rekrutimit në komuna zhvillohet në tërësi nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore e komunës përkatëse. Që nga hyrja në fuqi e Rregullores në janar 2026, janë zhvilluar me dhjetëra procedura të rekrutimit nga NJMBNJ-të e komunave”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, për AKK-në problematik mbetet neni 2 i rregullores, që përcakton fushëveprimin e saj. Në të thuhet se dispozitat zbatohen nga të gjitha institucionet e administratës shtetërore gjatë procedurave të rekrutimit për të gjitha kategoritë në shërbimin civil. Përjashtim bëjnë vetëm Presidenca, Gjykata Kushtetuese, sistemi i drejtësisë, Kuvendi dhe institucionet e pavarura kushtetuese.

Në këtë përjashtim nuk figurojnë edhe komunat.

E sipas Ibrahimit, kjo përbën cenim të autonomisë lokale dhe bie ndesh me garancitë kushtetuese.

“Mendojmë që ka shkelje në autonominë lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe në legjislacionin në fuqi që i jep dhe i garanton autonomi komunave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.

KOHA ka kontaktuar zyrtarë të disa komunave, por asnjë nuk ka pranuar të flasë publikisht. 

Në kushte anonimiteti, disa prej tyre kanë thënë se prej janarit, kur rregullorja ka hyrë në fuqi, testet për pranimin e kandidatëve nuk hartohen më nga komisionet vlerësuese në komuna, por nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në kuadër të MPB-së.