Arbëri

Gjykata Komerciale shtyn vendimin e MINT-it për pezullimin e certifikatës së Klan Kosovës

Gjykata Komerciale e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyer vendimin e MINT-it rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.

Kështu ka bërë të ditur në vendimin e publikuar sot.

“Aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve. Shtyhet ekzekutimiiVendimitnr.4566/01idatës28.07.2023inxjerrëngaKomisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.

Gjykata ka thënë se në rastin konkret sipas certifikatave të përshkruara, rezulton se paditësi ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, derisa thuhet gjithashtu se gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik.

“Gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik, gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave”, thuhet tutje në vendim.

Kjo gjykatë ka vendosur që ekzekutimi i vendimit të ARBK-së të shtyhet derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor për rastin e Klan Kosovës.

Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimeve kontestuese, Klan Kosovës do t’i sillte dëme vështirë të riparueshme pasi që ekzekutimi i vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit në parim e pezullon dhe e lë pa efekt regjistrimin e paditësit si person juridik, i cili regjistrim i jep të drejtën për të ushtruar veprimtari ekonomike në Kosovë.

“Gjykata po ashtu vlerëson se për shkak të pezullimit, certifikata e biznesit e humb efektin juridik, e për pasoj edhe regjistrimi i paditësit në ARKB, andaj paditësi nuk mund të ushtroj as veprimtari tjetër ekonomike për shkak të certifikatës së pezulluar, i cili pezullim ka për efekt shuarjen/ndalimin e çfarëdo veprimtarie të paditësit,” thuhet në arsyetimin e Komerciales.

“Si rrjedhojë, pezullimi i certifikatës së biznesit do të rezultonte në revokimin e licencës nga Komisioni i Pavarur i Mediave për ushtrimin e funksionit të ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale që paraqet aktivitetin kryesor biznesor të paditësit, e cila do të kishte për pasojë ndërprerjen e marrëdhënies së punës për rreth 220 të punësuar tek paditësi sipas listës së të punësuarve të bashkangjitur me padi si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve tjera kontraktuale me palët e treta, rrethana këto që në rast të ekzekutimit të vendimeve kontestuese paditësit do ti sillnin dëme vështirë të riparueshme”, thuhet tutje në vendim.

Ministrja e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari në konferencë për media të martën ka thënë se Klani nuk i kishte ndryshuar dokumentet deri në ditën e marrjes së vendimit.

“Në raportin e Komisionit që ka shqyrtuar ankesën e Klan Kosovës ka ardhur njoftimi se në ditën e vendimmarrjes së Komisionit është zbarkuar regjistri i pronarit të vërtetë në Maqedoninë e Veriut, në ditën që kanë marrë vendim është regjistri i fundit, pasi çdo ditë kanë shikuar përditësimet dhe dita e fundit është ajo ditë kur është zbarkuar edhe regjistri i pronarëve të vërtetë”.

Shkarko dokumentin

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Komerciale në Prishtinë, që ka aprovuar ankesën e televizionit Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për pezullimin e certifikatës së biznesit nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë.

“Në vendimin e gjyqtarit, Arnis Dumani, thuhet se ‘gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik, gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave’”, thuhet në postim.