Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjuetia e Serbisë me “dronët e rrezikshëm shqiptarë”, gjithçka nisi nga “Autochthonous”

Objekti i parë fluturues i identifikueshëm ose dron, të cilin Serbia e pati cilësuar si “armiqësor”, nuk ishte një nga ato për të cilët ky vend pretendon se së fundmi e rrëzoi një që hyri nga territori i Kosovës. Siç shkruan gazeta serbe “Danas”, si një prej mediumeve të pakontrolluara nga pushteti, gjuetia e Serbisë ndaj “dronëve armiqësorë”, pati nisur tetë vjet më parë, kur mbi stadiumin e Partizanit fluturoi i shumëfamshmi “Autochtonous” gjatë ndeshjes së futbollit Serbi – Shqipëri.

“Atë kohë MiG-ët nuk ishin ngritur në qiell, Mbrojtja Ajrore nuk ishte vënë në funksion, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, s’pati kërkuar gatishmëri ushtarake... Për dronin e parë ‘armiqësor, futbollisti serb, Stefan Mitroviq, pa pritur urdhrin e presidentit, me një aftësi të mirë në kërcim, pati kapur flamurin në fjalë dhe e tërhoqi poshtë me fluturaken – për të cilën as sot s’dihet nëse është në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë apo ka rënë në duart e ndonjë fotografi dasmash dhe ka vazhduar me punët për të cilat është prodhuar”, ka shkruar ky medium në një editorial të premten.

Atë kohë flamuri me Ismail Qemalin e Isë Boletinin në qendër dhe hartën e të gjitha trojeve shqiptare pati shkaktuar tensione të mëdha në stadiumin me 25 mijë spektatorë. Pati nisur sulmi fizik ndaj futbollistëve të Shqipërisë e “ngjarja u shfrytëzua për të rritur histerinë anti-shqiptare, duke akuzuar fillimisht vëllain e kryeministrit Edi Rama se është përgjegjës për dronin, por më vonë doli që operator ishte Ismail Morina”.

Siç shkruan “Danasi” për të kuptuar se sa shumë zgjati afera e dronit për të shpërlarë trutë e publikut serb kuptohet nga titulli i “Kuririt” më 7 tetor 2015 se “Shqiptarët planifikuan ta vrisnin Vuçiqin: Me dy armë e 30 plumba”.

Nga ai moment, nga Qeveria e Serbisë ishte premtuar se “incidenti me dron” s’do të përsëritet më e se të gjitha institucionet do të furnizohen me sinjalizues të dronëve, e në rast nevoje, forcat speciale do t’i hedhin poshtë...

“Dhe çka ndodh tash pas tetë vjetësh? Në vend se të shpjegohet se si ne ‘rrethohemi’ nga dronët armiqësorë sërish, edhe pse sipas autoriteteve kemi ushtrinë më të fuqishme në rajon, publiku përgatitet për një rund të ri trushpërlarje”, ka shkruar “Danasi”. “Manipulimi nis me deklaratën se dronë-spiunë kanë fluturuar nga Kosova mbi barakat ushtarake të Serbisë, dhe presidenti ka urdhëruar ngritjen e MiG-ëve dhe hedhjen poshtë të pajisjeve të dyshimta (pa shpjegimin se si është e mundshme që ushtria po pret urdhër nga presidenti për të hedhur poshtë një dron të panjohur), dhe ushtria është ngritur në nivel gatishmërie...”

Edhe Serbia me strategji kundër aleancës ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci LAJMET E MBRËMJES Serbia me strategji kundër aleancës ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Në editorial, ky medium ka thënë se është e çuditshme se nëse droni është rrëzuar, se si ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe presidenti i Serbisë s’kanë shkrepur foto triumfuese para “presë së kapur”.

“Danas” ka paralajmëruar se historia për pushtimin e tokës serbe nga dronët do të vazhdojë. Mediumi ka theksuar se “ndoshta krejt kjo është prelud i asaj që po planifikohet për ‘luftë mbi targat KM’ dhe ndoshta vetëm një tjetër shfaqje komike për të tërhequr vëmendjen nga ngritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimeve bazë dhe energjisë”.