Arbëri

Shkelja e hapësirës ajrore nga dronë të Serbisë shihet akt provokues me mundësi përshkallëzimi

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk ka dhënë sqarime të enjten lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë të Serbisë, e për të cilin aktivitet ka njoftuar një ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Njohës të zhvillimeve politike dhe të sigurisë e kanë kualifikuar këtë veprim si të menduar mirë dhe të organizuar nga autoritetet në Serbi, teksa kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të bashkërendojnë me faktorin ndërkombëtar masat që duhen ndërmarrë në përgjigje të tyre

Cenim të sovranitetit dhe akt provokues e kanë kualifikuar njohës të zhvillimeve politike dhe të sigurisë shkeljen e kohëpaskohshme të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë të Serbisë, e për të cilin aktivitet të shtetit serb ka njoftuar një ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. 

Tek e ka komentuar këtë pretendim të Sveçlës, të bërë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë të enjten se përgjigjja ndaj veprimeve të këtilla të Serbisë duhet të koordinohet me faktorin ndërkombëtar. 

“Shkelja e hapësirës ajrore nga ana e Serbisë, përmes dronëve apo fluturakeve të tjera, është akt i papranueshëm, është akt i shkeljes së sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe pavarësisht se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, ky akt mbetet i papranueshëm dhe nxitje e një konflikti, tensioni e, pse jo, edhe të një lufte në rajon. Është një provim i pastër, i mirëmenduar me një skenar të mirorganizuar me qëllim provokimin e situatës dhe provokimin ndoshta të kundërpërgjigjeve ndaj këtyre veprimeve”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’i alarmojnë partnerët ndërkombëtarë lidhur me situatën. 

“Duhet që të ngrihet si çështje edhe në arenën ndërkombëtare, të njoftohen partnerë ndërkombëtar për një akt agresioni të tillë, për dëshminë e konsistencës së ndërmarrjes së këtyre veprimeve nga ana e Serbisë, rrezikimin e stabilitetit si brenda Kosovës, po ashtu edhe rajonal, dhe një koordinim të ngushtë të ndërmarrjes së veprimeve politike, diplomatike mbi të gjitha strategjike në kuptim të vënies në pah të këtyre akteve të papranueshme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe të zhveshjes së qëllimit të pastër tensionues dhe luftënxitës të Republikës së Serbisë karshi Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

E politologu Melazim Koci ka thënë se veprimet e Serbisë ndaj Kosovës janë të njëjta me ato që Rusia është duke i ndërmarrë gjatë kohëve të fundit në Estoni, Poloni dhe në Danimarkë. 

Karshi këtij sfondi, Koci nuk e ka përjashtuar mundësinë për tensionim të situatës. 

“Kemi të bëjmë me të njëjtin sulm që shkon në raport Moskë-pjesa veriore e Evropës dhe të njëjtën gjë e bën Serbia në Ballkan, në raport me Kosovën. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që këto veprime të përshkallëzohen në periudhën e ardhshme. Tash në cilat përmasa nuk e di, por nuk e përjashtoj që të ketë përshkallëzim”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

Në lidhje me një veprim të tillë të Serbisë, KOHA ka kërkuar sqarime dhe informata nga misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – por gjatë së enjtes nuk ka marrë përgjigje. Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë dhe as në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE).

Të mërkurën, Sveçla ka deklaruar se shkeljet e hapësirës ajrore të Kosovës nëpërmjet dronëve janë në kuadër të kërcënimeve që Serbia në vazhdimësi i bën ndaj Kosovës. 

“Në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Tash kohën e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve, të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, ka thënë ai. 

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka thënë po ashtu se një veprim i tillë ka ndodhur më shumë se një herë dhe ndonëse nuk ka pranuar që të ndajë më shumë hollësi, ka siguruar se nuk ka hapësirë për shqetësim. 

“Ka ndodhur në disa raste. Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale në bashkëpunim edhe me KFOR, por edhe me shërbimet partnere dhe  në momentin që kemi më shumë, patjetër që do të ndajmë informatat. Tash për tash nuk ka ndonjë gjë për të cilën publiku i Kosovës duhet të brengoset, të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës”, ka deklaruar ai.