LAJMET E MBRËMJES

KFOR: S’kemi identifikuar shkelje me dronë që mund ta rrezikojnë sigurinë në Kosovë

Dy ditë pas deklaratës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për shkelje të hapësirës ajrore nga Serbia, ka reaguar misioni i KFOR-it. Në një përgjigje për KOHËN është thënë se nuk janë identifikuar shkelje me dronë që mund ta rrezikojnë sigurinë. Por drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar dyshimet për hyrje të dronëve nga Serbia.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk ka mohuar se dronë kanë hyrë nga Serbia në Kosovë. Por, në një përgjigje për KOHËN që ka dhënë ky mision ushtarak, thuhet se nuk ka identifikuar të tillë që cenojnë sigurinë.

“Ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë Kosovën. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kështu që KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion të tij. Është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër Vijës Kufitare Administrative, të koordinohen në mënyrë adekuate me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Dhe vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Përgjigjja e KFOR-it u dha dy ditë pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi në emisionin “60 minuta” të KTV-së se Serbia kohë pas kohe është duke shkelur hapësirën ajrore të Kosovës.

E të premten, disa orë para deklarimit të KFOR-it, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, konfirmoi dyshimet e shprehura nga ministri Sveçla.

“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit, por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur”, ka thënë Hoxha.

Drejtori i Policisë theksoi se, pas dyshimeve për cenim të hapësirës nga dronë që hyjnë nga Serbia, janë njoftuar institucionet ndërkombëtare.

Përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore në Kosovë ende është KFOR-i, mision i cili së fundmi e shpalli “zonë të ndaluar për fluturime” atë mbi KEK.