Arbëri

Gjoshi: Presidentja e kryeministri po tregohen të padijshëm, po luajnë bixhoz me Kosovën

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se Qeveria e ka shfrytëzuar mungesën e serbëve kur ata shkuan me autobusë në Beograd në një tubim të Aleksandër Vuçqiti, për t’i futur me forcë kryetarët e komunave veriore në objektet komunale.

Ai ka theksuar se Partia Demokratike nuk ka qenë që kryetarët e atyre komunave, dy prej të cilëve vijnë nga radhët e PDK-së, të futeshin me forca policore në objekte.

“Nuk kemi qenë për atë. Është përgjegjësi e institucione si e bëjnë, por nuk ka qenë qëllimi të dërgohen në komuna sepse po të ishte qëllimi e kish lënë ditën kur e kanë dhënë betimin. Të nesërmen kur Vuciqi e ka pasur një tubim dhe serbët kanë shkuar në atë tubim. E kanë shfrytëzuar atë situatë dhe i kanë bë ata filma”, ka thënë ai në emisionin "60 Minuta".

Sipas Gjoshit, presidentja dhe kryeministri i Kosovës po tregohen të padijshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat. Ka shtuar se të dy këta po e fusin Kosovën në qorrsokak.

“Presidentja është treguar shumë e padijshme, edhe kryeministri. Ka qenë hap i ngutshëm dhe i pamatur. Kryetarët janë zgjedhur me vota, janë legjitimë. Po tregohen të padijshëm sepse nuk mund të organizojnë zgjedhje qysh po mendojnë ata. Zgjedhjet mund të organizohen nëse një kryetar jep dorëheqje, e dyta aq më pak guxojnë të diskutojnë për kryetarë që i kanë zgjedhur qytetarët. Ata janë futur në një qorrsokak, po e fusin edhe Kosovën në qorrsokak. Janë duke luajtur bixhoz me Kosovën. Sa më parë përfundon mandati i tyre, aq më mirë për Kosovën”, ka theksuar Gjosh.

Ai ka shtuar tutje se vendimet që po merr Qeveria, janë dëme të pariparueshme për Kosovën.

“Kështu e kemi këtë kryeministër, që merr vendime folklorike e mandej i ka dy hapa prapa. Ky i ka një gjysmë hapi përpara, e pastaj dy hapa prapa vetë e nja 10 dëme Kosovës. Krejt këto janë në kurriz të Kosovës dhe mendoj se të pariparueshme, përfshirë situatën që ka krijuar në veri”.

Ndërkaq, ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka thënë se PDK-ja mbështet draft-statutin i cili nuk mundëson krijimin e pushtetit të tretë. Gjoshi ka deklaruar se presin që kryeministri Albin Kurti të mos dorëzohet në këtë çështje. “Po shohim që është tejkaluar çështja e Asociacionit, po flitet më shumë për autonomi”.

E, për modelin kroat të cilin e pati propozuar Kurti, Gjoshi është shprehur skeptik se ai mund ta realizojë.

“Kurti për nga fjalët është, e kemi pa gjatë gjithë historisë tij, është i bukur të dëgjohet por veprat i ka jashtëzakonisht të rënda për vendin. Çdo ditë me këto veprime që po i bë është duke ia rënduar situatën Kosovës”.

Gjoshi është shprehur se Kurti po krijon drama të panevojshme dhe probleme të shumta.

“Na ia kemi lënë Kosovën komplet Albin Kurtit para 4 vjetëve kur jemi dalë në opozitë, ia kemi lënë Kosovën të njohur nga 110 shtete, sot nuk e dimë a i ka ato njohje sepse e ka komunikimin diplomatik zero. Ka arritur që brenda vendit të shkaktojë shumë probleme dhe dramë çdo vit. Qytetarët nuk kanë nevojë për dramë, kanë nevojë për mirëqenie. Dramë me pandeminë, dramë me veriun, dramë me energjinë elektrike. E këto kanë çuar nëpër interesa që i ka kamufluar, si rasti i Martin Berishajt e Nagip Skenderit”.