Arbëri

Gjilani nga 15 qershori nis vaksinimin masiv

Vetëm 5 raste aktive nga Covid 19 për momentin janë në komunën e Gjilanit, derisa kjo komunë nga java e ardhshme pritet të nis vaksinimin masiv.

“Në Gjilan sot i kemi vetëm pesë raste në dy familje, të cilët nuk kanë simptoma të rënda, që janë duke u trajtuar nga ekipet shëndetësore. E dhimbshme mbetet gjithmonë humbja e 146 qytetarëve tanë, të cilët për shkak të Covid-it dhe problemeve të tjera shëndetësorë, janë ndarë nga ne për këtë periudhë të përballjes me virusin. Me ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje, ku llogarisim 50-60 mijë qytetarë më shumë që kanë hyrje-dalje në Gjilan si banorë, duhet të kemi bashkërisht vigjilencë të lartë për të shmangur përhapjen e mundshme të infeksionit”, ka thënë kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Ai ka potencuar se më 15 qershor 2021, në shënimin e 22-vjetorit të çlirimit, nis edhe vaksinimi masiv i qytetarëve dhe përgatitjet janë në nivelin më të lartë që gjithçka të shkojë sipas planifikimit, ka përsëritur në këtë takim kryetari Haziri.