Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjilani ngre në nivelin e tretë gjendjen e gatishmërisë për përballje me COVID-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njoftohet se ka mbledhur sot Qendrën Operative Emergjente dhe Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë, duke e ngritur në nivelin e tretë gjendjen e gatishmërisë dhe mobilizimit ndërinstitucional për përballje me Covid-19.

Sipas njoftimit për media, Haziri ka thënë se vendimet dhe urdhëresat e Qeverisë së Kosovës do të zbatohen në përpikëri nga Komuna, derisa ka bërë thirrje për një plan emergjent të Qeverisë së Kosovës që të vaksinojë masivisht qytetarët, për të krijuar imunizim kolektiv, si e vetmja mënyrë për të përballuar më lehtë virusin COVID-19.

“Nga sot nis zbatimi i masave të reja në shkallën më të lartë të emergjencave, në përputhje me numrin shumë të madh të të infektuarve dhe të vdekurve në vendin tonë dhe veçanërisht në Komunën e Gjilanit. Deri tani rreth 40 për qind e qytetarëve të Gjilanit janë vaksinuar dhe apelohet që edhe më tutje të vazhdojë vaksinimi për ta krijuar imunizimin e përgjithshëm. Sot Gjilani shpall gjendjen e emergjencave të nivelit të tretë dhe është e nivelit më të lartë, që lidhet edhe me vendimin e qeverisë, por edhe me numrin e madh të rasteve të vdekjeve dhe të infektuarve na detyron të intervenojmë. Qendra Operative e Emergjencave funksionon 24 orë dhe 7 ditë në javë deri në stabilizim të gjendjes, në koordinim me të gjitha njësitë e emergjencave ndërinstitucionale të Gjilanit”, ka theksuar Haziri.

Ai më tej ka theksuar se Komuna e Gjilani me të gjitha kapacitetet dhe mbështetjen do të jetë e fokusuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, për të preventuar mbingarkimin e Spitalit të Përgjithshëm, sikur që është zotuar për mbështetje edhe ndaj këtij institucioni shëndetësor, duke bërë thirrje në nivelin qendror të qeverisë që të veprojë me urgjencë që t’i mbështes Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, që jep shërbime shëndetësore për gjithë Anamoravën dhe Kosovën Lindore, me të gjitha kapacitetet që të jetë sa më e lehtë menaxhimi i gjendjes.