Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri: Masat e fundit janë selektive e jo bazuar në vlerësim të drejtë

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se situata në Gjilan me COVID-19 është alarmante.

Ai ka thënë se shifra e 936 rasteve aktive në Gjilan, paraqet rekord që nga fillimi i pandemisë.

Haziri ka shtuar se numri i madh i të infektuarve lidhet me numrin e mërgimtarëve që kanë ardhur, ndërsa ka shtuar se gjendja në spitalin e Gjilanit është alarmante dhe nëse mbushet me të infektuar atëherë rastet duhet referuar në QKUK.

“Numri kaq i madh i të infektuarve lidhet edhe me numrin e madh të mërgimtarëve që i kemi edhe në këtë javë në Gjilan, por veprimet e shtetit duhet të jenë më të ashpra, por me arsyeshmëri maksimale për ta mbrojtur qytetarin përmes masave dhe respektimit të tyre”, ka thënë kryetari Haziri. “Masat e fundit të marra nga qeveria janë masa selektive dhe jo në bazë të vlerësimit të drejtë, sepse është dashur që me masa të ashpra, të niset që nga administrata e shtetit, jo vetëm nga sektori privat. Sot disa shërbime si lokalet e natës, dasmat etj, janë sanksionuar brenda ditës, kurse disa kategori të tjera u është dhënë afat të përgatiten. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që ta trajtojë me seriozitet më të lartë infeksionin dhe pandeminë Covid-19 në përgjithësi. Kemi të prekur grupmoshat e reja dhe një numër shumë të madh të mërgimtarëve me infeksion”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve, personave që punojnë në hotelieri, mjekëve e qytetarëve në përgjithësi që të vaksinohen. Ka thënë se asnjë mësimdhënës nuk mund të shkojë në shkollë më 1 shtator nëse nuk e ka konfirmin e vaksinimit ose testin ditor për COVID-19.

“Unë kam reaguar dhe kjo tashmë është e ditur se më 1 shtator asnjë mësimdhënës nuk mund të shkojë në shkollë e të dalë para nxënësve, nëse nuk e ka konfirmimin e vaksinimit ose testin ditor për COVID-19. Duhet të mundësohet nga ana e Qeverisë që me ekipe shtesë, me punësime të përkohshme të rriten kapacitetet dhe vaksinimi të bëhet 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për imunizim të përgjithshëm më të shpejtë. Nuk jemi në gjendje që të lejojmë komoditet”, ka thënë Haziri.