Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjashtë të lënduar ende në spitalin e Slavonski Brodit

Kur janë bërë dy javë nga aksidenti tragjik i autobusit në Kroaci, në spitalin e Slavonski Brodit po marrin ende trajtim mjekësor gjashtë të lënduar.

Zyra e Kryeministrit konfirmoi se gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesjen e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët.

Në momentin e aksidentit, që ndodhi më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, në autobusin që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe dy shoferë.

Në spitalin "Dr. Josip Benčević" kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit.

Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan shtatë qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë.

Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u dëshiron shërim të plotë të lënduarve të hospitalizuar dhe i siguron se do të vazhdojë përkujdesjen dhe angazhimin për ta”, përfundon njoftimi i ZKM-së.

Artikuj të ngjashëm