Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjashtë kandidatë në listën e ngushtë për gjyqtarë të Kushtetueses, kritika për mostransparencë

Komisioni i posaçëm parlamentar ka përfunduar procedurat e intervistimit dhe testimit të kandidatëve për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Raporti i këtij komisioni i është përcjellë Kryesisë së Kuvendit për miratim. Por shoqëria civile e ka kritikuar komisionin për mostransparencë gjatë përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve. Këtë e ka mohuar Komisioni.

Dy gjyqtarët që tash e sa muaj i mungojnë Gjykatës Kushtetuese pritet të zgjidhen së shpejti nga Kuvendi i Kosovës.

Pasi zgjedhja e njërit prej tyre dështoi në qershor, procedurat e konkursit të përsëritur kanë arritur në fund.

Komisioni i posaçëm ka intervistuar kandidatët dhe vlerësimin e tyre ia ka përcjellë Kryesisë së legjislativit.

“Raporti i Komisionit të Posaçëm përfshin 6 kandidatë me poentimin e caktuar, të cilët duhet të votohen nga ana e deputetëve në njërën nga seancat e ardhshme kur Kryesia e Kuvendit vendos për ta përfshirë në rend të ditës. Votimi bëhet me dy të tretat e deputetëve të pranishëm”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit të posaçëm.

Në listën e ngushtë janë përfshirë gjashtë kandidatë, shumica prej të cilëve kanë qenë pjesë edhe e konkurseve të mëparshme.

Edhe Komisioni interviston kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese Arbëri Komisioni interviston kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese

Deputetët e komisionit me më së shumti pikë e kanë vlerësuar Hilmi Jasharin, derisa pas tij vijnë Etrur Maloku, Bashkim Hyseni, Vigan Qorrolli, Bardh Bokshi dhe Shukri Sylejmani.

Por, Instituti i Kosovës për Drejtësi, që është pjesë e shoqërisë civile, kritikon komisionin për mungesë të transparencës gjatë përzgjedhjes së kandidatëve.

“Propozimi i këtyre kandidatëve është bërë në një formë top-sekrete. Askush nga mediat dhe shoqëria civile nuk është ftuar për ta monitoruar procesin dhe që ky fakt definitivisht e cenon edhe integritetin e këtij procesi. Pra, po flasim për një proces ku po përzgjidhen dy anëtarë të pothuajse institucionit më të rëndësishëm në vend”, ka thënë Gëzim Shala nga IKD-ja.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili kryeson Komisionin e posaçëm, mohon kritikat e IKD-së.

“Komisioni i posaçëm ka qenë edhe unanim, edhe i vendosur për transparencë dhe rregullsi. Më vjen keq që ndonjë prej organizatave të shoqërisë civile nuk ka arritur të informohet me kohë nga administrata e Kuvendit për oraret e testimit apo intervistimit. Personalisht kam qenë ithtar dhe përkrahës i vazhdueshëm që të ketë përfshirje sa më të gjerë”, është shprehur ai.

Nga opozita, një qëndrim për ecurinë e procesit ka premtuar se do ta japë edhe anëtari i Komisionit të posaçëm nga PDK-ja, Abelard Tahiri. Pas konfirmimit se një gjë të tillë do ta bëjë të premten, ai gjatë ditës nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.

Edhe Caktohen datat e intervistimit për 25 kandidatët që synojnë dy pozita në Kushtetuese Arbëri Caktohen datat e intervistimit për 25 kandidatët që synojnë dy pozita në Kushtetuese

Mes kritikave ndaj partisë në pushtet për favorizim të kandidatëve të caktuar, pesë muaj më parë, në mungesë të votave dështoi zgjedhja e njërit nga kandidatët për gjyqtar. Në rundin e tretë garonin Vigan Qorolli dhe Haxhi Xhemajli.

Për t’u zgjedhur, kandidati duhet të marrë 2/3 e votave të deputetëve të cilët janë të pranishëm në seancë dhe që votojnë.