Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë ankuar për mënyrën se si Igor Simiq e propozoi Sllavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit.
Simiq iu referua propozimit “në emër të popullit serb”. Deputetët e VV-së janë përgjigjur duke thënë se “nuk ka popull serb në Kosovë, veç komunitet serb”.
“Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor”, ka shkruar Donika Gërvalla.
Këtë postim ajo e ka bërë pasi Igor Simiq e propozoi Slavko Simiqin duke deklaruar se propozimi vjen në emër të popullit serb.
“Në emër të popullit serb dhe me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që e bëjnë shumicën e deputetëve serbë e propozojmë Slavko Simiqin për nënkryetar”, ka thënë Igor Simiq.
Ndërkaq Vigan Qorrolli ka thënë se Kushtetuta nuk njeh kategori institucionale si “populli serb”.
Edhe
Simiq: Lista Serbe nuk voton atë që ka përgatitur Kurti, në zgjedhje e merrni përgjigjen e qartë
“Ajo njeh komunitetet që u përkasin komuniteteve joshumicë, ndërsa përfaqësimi i tyre institucional ndërtohet mbi të drejta të komuniteteve dhe jo mbi pretendimin për një mandat ekskluziv në emër të një “populli”. Prandaj, askush nuk mund ta shndërrojë një kategori kushtetuese -- komunitetin joshumicë serb -- në një kategori tjetër që Kushtetuta nuk e njeh “popullin serb” dhe pastaj të ndërtojë mbi këtë pretendim një të drejtë ekskluzive për një pozitë kushtetuese. Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kandidaturën për nënkryetar të Kuvendit”, ka shkruar ai.
Seanca konstituive ka shkuar në pauzë prej 30 minutash. Kryeparlamentarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, ka thënë se me partitë nuk është arritur dakordimi për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.
Haxhiu ka thënë se ka propozime që të gjithë të votohen në një pako e se ka rezerva nga të tjerë për këtë formë. Ajo po ashtu ka kërkuar nga Lista Serbe që emrin e nënkryetarit ta propozojë me shkrim.