Mbyllje janë duke vërejtur gazetarët nga ana e Qeverisë e institucioneve të pavarura. Derisa përgjigjet që marrin shpesh nuk i ndihmojnë raportimit të tyre pasi institucionet nuk i sqarojnë saktësisht pyetjet që u parashtrohen. Në Qeverinë e Kosovës e në OSHP kanë thënë se po punojnë për transparencë, derisa në Agjencinë për Informim e Privatësi tregojnë se në nivel të përgjithshëm ankesat për mospërgjigjen e institucioneve janë në rritje.
Me ironi u ishte përgjigjur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, , kur u pyet për një mori çështjesh, përfshirë këtu targat.
“Vjen e marta pas të hanës, nuk e di çfarë do të ndodhë. A e di ti çka ka me ndodhë, unë nuk jam Nostradamus, jam zv. kryeministër. Nuk e di çfarë ka me ndodhë të hanën se na jemi në bisedime, a jeni tu e kuptu….97.3 përqind”, ka thënë Bislimi.
Mostransparencë ndaj mediave është parë edhe tek Organi Shqyrtues i Prokurimit, ku përgjigjet para kamerës televizive kanë qenë të llojit “ndoshta, ndoshta”.
Nga Qeveria, ministritë e organet e pavarura gazetarët shpesh hasin në injorim të pyetjeve apo edhe përgjigje që s’u hyjnë në punë për sqarimin e pyetjeve që i kanë bërë.
Pesë ankesa i ka bërë brenda dy ditësh gazetarja Saranda Ramaj ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit për moskthim të përgjigjeve në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për një kronikë lidhur me insulinat.
“Ka institucione të pavarura që nuk përgjigjen fare, kemi pasur javën e kaluar… I kam adresuar për Organin Shqyrtues të Prokurimit te Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe pastaj vetëm pasi agjencia ka hapur rast ata na janë përgjigjur në një email për të gjitha pyetjet brenda një muaji dhe për ironi njëra prej fjalive hyrëse të përgjigjes ka qenë që OSHP-ja është shumë e zënë me punë të tjera dhe mbase ka urgjenca më të mëdha sesa tu përgjigjet, apo si e kanë quajtur ata të merret në pyetje nga gazetarët”, ka thënë Ramaj.
Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi ka thënë se janë në rritje ankesat për mospërgjigje të institucioneve.
Dhjetëra ankesa, sipas komisioneres Krenare Sogojeva, janë bërë prej gazetarëve.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë vitit 2022 në total i ka pranuar 364 ankesa, pra në një raport prej janarit deri në tetor. Prej këtyre ankesave 76 janë të drejtuara prej anës së gazetarëve, ndërsa sa i përket asaj se ndaj cilave institucione ne kemi një raport të mëhershëm që daton prej shtatorit të vitit 2021 deri në shtator 2022, që shumica e ankesave që janë drejtuar nga të gjithë kërkuesit që janë gazetarë, OJQ dhe persona të tjerë fizikë. 101 ankesa kanë qenë ndaj Qeverisë domethënë ministrive, 95 ishin ndaj komunave ndërsa në një numër më të vogël 18 të tjera ndaj institucioneve të pavarura”, ka thënë Krenare Sogojeva, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi
Në Organin Shqyrtues të Prokurimit kanë thënë se nuk i përçmojnë pyetjet e gazetarëve.
“OSHP ka qenë pa Bord për një vit e gjysmë dhe për ketë arsye janë grumbulluar një numër i konsiderueshëm i lëndëve të cilat kanë kërkuar një angazhim maksimal dhe të menjëhershëm të këtij Bordi, sepse ky është misioni primar i OSHP. Kjo nuk do të thotë se OSHP i konsideron si të parëndësishme pyetjet e gazetarëve…”, ka thënë OSHP-ja.
E nga Ekzekutivi kanë thënë se janë të përkushtuar për kërkesat e gazetarëve, përfshirë edhe ato që kërkohen brenda ditës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës publikon materiale dhe të dhëna publike në vazhdimësi. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë të rregullta, ndërkohë që ministrinë po ashtu organizojnë konferenca për media në varësi të zhvillimeve në kuadër të fushëveprimeve. Më tej, Zyra e Kryeministrit vazhdimisht trajton kërkesa për qasje në dokumente publike duke siguruar kështu transparencë me informacione publike. Ne mbesim të përkushtuar që të rrisim sa më shumë efikasitetin në komunikim me publikun dhe mediet, ashtu që të mund t’u përgjigjemi kërkesave ditore”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve në një konferencë për media pas qëndrimit disaditor në Kosovë janë shprehur të shqetësuar nga retorika toksike dhe përçarëse dhe kampanja denigruese ndaj gazetarëve dhe medieve nga politikanët e partisë në pushtet.