Ish-deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë se pushtetit nuk duhet t’i dështojë asnjë seancë në Kuvendin e Kosovës.
Të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, Gaxherri ka thënë se marrë parasysh që ka mbi 50 për qind të votave, partia në pushtet nuk duhet të dështojë në kalimin e asnjë ligji, pasi nuk ia ka nevojën votave të opozitës.
“I kanë mbi 50 për qind të votave, aty nuk duhet të dështojë asnjë seancë. Nuk duhet të dështojë asnjë ligj, nuk duhet të bien në provokime. Për herë të parë ndodhë në Kuvend që ministrat t’i sulmojnë deputetët. Vetëvendosja sulmon edhe kur është në opozitë, Vetëvendosja sulmon fizikisht edhe kur është në mazhorancë. Kur i ke mbi 50 për qind të deputetëve, asnjë gjë nuk ka nevojë të ngecë sepse nuk ke nevojë për opozitën”, ka thënë ajo.
Gaxherri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për skandale, duke thënë se asnjë projekt i tyre serioz nuk mund të ecë tutje.
“Pushteti nuk mund të ecë në asnjë projekt të tyre serioz ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga kjo qeveri kemi më shumë skandale sesa mund të numërojmë një projekt të madh për dy vjet e më shumë të kësaj qeverie”, është shprehur ajo.
Sipas saj, sikurse kur ishte në opozitë, edhe tani si parti e pushtetit, LVV-ja po përdorë dhunë dhe mjete jodemokratike.
“Edhe si opozitë ata e kanë përdorur dhunën në mënyrë permanente dhe madje me mjete jodemokratike, duke dhënë një imazh e pasqyrë jonormale në gjithë botën. Në bazë të atyre sjelljeve, mashtrimeve, fyerjeve, linçimeve e gjithë atyre metodave që i kanë përdorur, ata i kanë fituar mbi 50 për qind të votave dhe sot kur e shohim në qeverisje, unë i kam njohur që janë të papërgatitur dhe kanë bërë veprime të papranueshme, por të jem e sinqertë nuk kam pritur që qeverisja e tyre do të degradojë në këtë nivel”, ka thënë ajo.
Ish-deputetja e LDK-së ka thënë se LVV-ja është e mbyllur sikurse në sferën e jashtme, edhe me partitë opozitare, mediat e shoqërinë civile, sa i përket procesit të dialogut.
“Procesi i dialogut po shkon shumë keq, aq sa po shohim nëpërmjet mediave, kjo qeveri është e mbyllur hermetikisht, është mbyllur një herë me shtetet fqinje, e në mënyrë të veçantë me Shqipërinë, e tani është mbyllur edhe me partitë opozitare, mediat, shoqërinë civile. Kemi një marrëveshje të miratuar në Ohër, e cila është shumë, shumë më e keqe sesa ajo e vitit 2013 dhe arma e vete e z.Kurti është marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e parimeve e vitit 2015”, ka theksuar ajo.