Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet ta pranojnë Vjosa Osmanin për një mandat tjetër si presidente pa kërkuar ndonjë kusht.
Siç ka thënë ai, këtë e bëri LDK-ja herën e kaluar dhe tash duhet ta shfrytëzojë momentin. Muhaxhiri ka theksuar se partitë janë në pozitë të palakmueshme karshi LVV-së.
“(PDK-LDK-AAK) Janë në pozitë të palakshmueshme por edhe pse në këtë pozitë, nuk guxojnë të dorëzohen dhe t’ia shtrojnë tepihun e kuq dhe ta pranojnë pa asnjë kushtëzim Osmanin. Mund të ketë ndonjë element për shembull për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, për gjykatësit e rinj, ndonjë projekt tjetër ndërkombëtar, për ndonjë marrëveshje, që të marrin edhe ata merita për ndonjë element në këto. Në politikë gjithçka është e mundur. Nuk guxojnë ta bëjnë atë që e ka bë LDK-ja herën e kaluar, nuk guxon të qëndroj sepse Osmani e ka dëmtuar LDK-në dhe nuk guxon që ta votojë pa asnjë kusht sërish”, ka thënë ai në Interaktiv.
Muhaxhiri ka shtuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me mbi 51% të votave të fituara nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, mund të zgjedhë kë të dojë për pozitën e presidentit, por ka theksuar se do t’i duhen “mjeshtëri të pashembullta negociatore” me partitë e tjera që të arrijë kuorumin prej 80 votash për presidentin.
Kurti tri ditë më parë për KosovaPress pati thënë se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri në mars. Ai e ka konsideruar të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.
Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit është një vështirësi e konsiderueshme.
“Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet të votojmë buxhetin. Unë besoj që këto janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi. Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, pati deklaruar ai.