Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e Abdixhiku takohen të hënën për presidentin, analistët i shohin zgjedhjet si zgjidhje

Kurti takohet sërish me Abdixhikun

Foto-ilustrim: KOHA

Opsioni më real për një zgjidhje sa i përket çështjes së presidentit janë zgjedhjet, ka thënë analisti politik Artan Muhaxhiri. Edhe takimet e paralajmëruara mes përfaqësuesve gjatë kësaj jave, sipas tij, janë më shumë formale se përmbajtjesore. Muhaxhiri ka thënë se dy kandidaturat e LVV-së për president unk lënë vend për dalje nga ngërçi politik

Paralajmërimet se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, nga e hëna do t’i rinisë takimet me kryetarët e partive opozitare për çështjen e presidentit, të dielën gjatë homazheve për masakrën e Rezallës, ka refuzuar t’i komentojë ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.

Haxhiu që mori detyrën të shtunën, ka thënë se nuk është vendi të flitet për tema të tjera.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar se lideri i kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe Kurti, do të takohen të hënën. Sipas tij, takimi do të mbahet në hapësirat e Kuvendit dhe do të nisë në orën 11:00.

Por, analisti politik Artan Muhaxhiri, ka thënë se një zgjidhje për presidentin mund të vijë vetëm pas një cikli të ri zgjedhor.

Sipas tij, dy kandidatët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, nuk lënë hapësirë për të dalë nga ngërçi pa iu drejtuar edhe një herë popullit.

“Opsioni i vetëm realist është shkuarja në zgjedhje pasi mund të bëhen takime formale me përfaqësues të opozitës por në esencë nuk ka asnjë mundësi, asnjë hapësirë për të gjetur ndonjë bashkëpunim me ta sepse do të ishte absurde që opozita ta votonte një kandidaturë të pushtetit nën këto kushte dominuese të zotëri Kurtit”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka komentuar edhe mundësinë që tashmë ish-presidentja Osmani të përfshihet në strukturat e Lidhjes Demokratike.

Megjithatë, sipas tij, në përpjekjet për ta rrëzuar Kurtin, PDK-ja dhe LDK-ja, në vend se ta dobësojnë atë, vetëm sa po e forcojnë.

“Nuk besoj që zonja Osmani do ta dëmtoj aq shumë zotin Kurti sa mund t’i ndihmojnë PDK-ja dhe LDK-ja me neglizhencën e tyre, me mungesën e ideve, pasi po e shohin vazhdimisht që nuk kanë asnjë plan se si ti kundërvihen popullzimit të zotëri Kurtit dhe ta mobilizojnë elektoratin për ta bërë ndonjë ndryshim eventual institucional”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Gjatë muajit të fundit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për bashkimin e së djathtës nën udhëheqjen e partisë që udhëheq dhe e ka cilësuar përfshirjen e Osmanit në këtë bashkim si të dobishme për vendin.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, 14 më pak se numri minimal i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin.

Partive politike u ka mbetur kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, afat që është caktuar nga Gjykata Kushtetuese, në të kundërt, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.