Dhjetëra furra të bukës në qytezën e Shtimes janë bërë bashkë për t’i ndihmuar gjithsejtë 80 familje skamnore me furnizim të bukës për një muaj.
Një aksion i tillë tashmë ka nisë të aplikohej, ndërkohë pronarët e furrave kanë mbajtur edhe një takim me kryetarin e kësaj komune, Naim Ismajli.
“Disa nga përfaqësuesit e furrave të bukës të komunës sonë kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar 80 familjeve në nevojë të Komunës së Shtimes për furnizim me bukë të freskët çdo ditë për një muaj. Pronarët e furrave janë pritur në takim nga Kryetari i Komunës, Naim Ismajli, i cili i falënderoi furrtarët që morën këtë iniciativë, sepse natyrisht kjo është një ndihmë dhe lehtësim për ato familje në këtë kohë të vështirë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim në Komunën e Shtimes.
Sipas tyre, Ismajli edhe njëherë ka përshëndetur këtë solidaritet të qytetarëve e të bizneseve për humanitetin e treguar në këtë kohë të vështirë.