Arbëri

Fotoreporterët e masakrës së Reçakut tregojnë rrëfimet e tyre

Sot në emisionin “Express” të KTV-së, të ftuar ishin Alban Bujari, Hazir Reka dhe Visar Kryeziu, të cilët kanë treguar rrëfimet e tyre si fotoreporterë në masakrën e Reçakut 21 vjet më parë, ku fotografitë e tyre pushtuan ballinat e gazetave vendore dhe ndërkombëtare.

Fotoreporteri Reka gjatë bisedës ka kujtuar ardhjen e ish-ambasadorit të OSBE-së William Walker në Reçak dhe për momentin kur panë kufomën e parë pa gjysmën e kokës.

“Kur kemi mbërri, ne kryesisht jemi takuar sepse nuk kemi shkuar bashkë. Krejt kemi mbërri para se të vijë ambasadori Walker. Kur jemi fut në oborr, ka qenë një kufomë e shtrirë, ka qenë pa gjysmën e kokës dhe po ma merr mendja që ka qenë trupi ende i freskët pasi e kanë ekzekutuar. Gishtin e ka pasur kah koka e vetë po gjysmën e kokës nuk e ka pasë. Ne kemi qenë bashkë atë kohë, nuk e mbajë mend se ka qenë shumë ngjarje e rëndë mirëpo kur është fut ambasadori, është fut drejtë kështu, por nuk e ka parë që kufoma ka qenë e shtrirë në tokë, para se me mbërri në kanal lartë atje… edhe e ka parë, e ka kthyer kokën në anën tjetër dhe pastaj ka dalë 5 metra ma lartë me stafin e vetë, kanë renditur dhe e kanë këqyrë kufomën”, kujtoi Reka.

Reka, po ashtu, ka kujtuar se si në Reçak e ka parë një agjent serb, të cilin e kishte njohur më herët, dhe u frikësua se po ta takonte do të rrezikonte ta humbë të gjithë materialin që kishte marrë atë ditë. Edhe atë jo vetëm të vetin. Rekës i kishin dhënë filmat të gjithë kolegët fotografë nga mediumet tjera që po qëndronin atë ditë në Reçak.

“Momenti kur jemi tërhequr prej xhamisë, kerret kanë qenë të vendosura në rrugë, edhe e kam vërejtur se njëri po vjen drejt nesh, ka qenë vetë i katërti, ka qenë agjent i sigurimit shtetëror i asaj kohe dhe unë e kam njohur atë, njëjtë edhe ai më ka njohur më herët, para shumë viteve”, ka treguar Reka.

“E kishte një kamerë të vogël në dorë dhe unë ju tregova kolegëve se diçka duhet bërë, nuk është mirë të takohem unë me të. Atëherë më thanë që të shkojë me veturën e AP-së [agjencisë amerikane të lajmeve]. Tash mu m’i dhanë të gjithë fotografët filma me vete, vetura ka qenë e blinduar dhe unë u futa prapa”, ka sqaruar fotoreporteri Reka.

“Kur kanë mbërri ata të katërt aty, ai u sill tërë kohën rreth e rreth veturës me kamerë duke xhiruar dhe dikush i tha kolegut tonë, Sylës, që është mirë me u largu sa më shpejt”, sqaroi Reka.

Gjithashtu, fotoreporterët që ia kumtuan botës lajmin se çfarë ndodhi në janar të vitit 1999 në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, shprehën keqardhjen e tyre ndaj institucioneve të Kosovës, pasi që sipas tyre, nuk kanë bërë asgjë për të dokumentuar këtë ngjarje për të cilën ekzistojnë faktet.

“Kemi ekspozuar, kemi publikuar, kemi thirr edhe kolegë tjerë se kjo po ndodh, pra kemi proklamuar, kemi rreh tupan, më fal që po shprehna kështu, për krimet që po ndodhin në Kosovë. Mua më dhimbet që shteti jonë nuk ka mbërri të krijojë një muze të luftës, paqes, të humbjes, të viktimës, dokumentimit të çdo vrasjeje dhe humbjeje të jetës, që ka ndodh në Kosovë”, ka thënë fotoreporteri Kryeziu.

“Ne s’është dashtë të mendojmë për atë punë, ne e kemi kryer detyrën tonë. Dikush tjetër është dashtë të mendojë për këtë punë”, ka shtuar Reka ndërsa fotoreporteri i “Kohës Ditore”, Alban Bujari ka thënë se “kur kanë interesa personale për ndonjë libër, ndonjë ekspozitë a për ndonjë spot”, po bëjnë diçka.

Lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mohimin e masakrës së Reçakut, fotoreporteri i AP-së, Visar Kryeziu, në Express të KTV-së, tha se me mungesën e angazhimit të institucioneve të Kosovës për ta dokumentar masakrën, po i lëmë hapësirë Vuçiqit për të deklaruar një gjë të tillë.

Sipas Kryeziut, një deklaratë e tillë mund të ndikojë që institucionet e Kosovës të zgjohen nga gjumi.