Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dëshmia e Walkerit për Masakrën e Reçakut: Viktimat s’ishin ushtarë

Masakra e REcakut

Foto: Arkiv

Foto: Alban Bujari

Tmerri që pa në Reçak veç një ditë pas masakrës, do ta trondiste William Walkerin.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, dy dekada më vonë u bë dëshmitar i Prokurorisë Speciale për gjykimin në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krimet në Reçak, që do të nisë në korrik të këtij viti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në dëshminë e tij, të dhënë një vit më parë, e që do të përdoret kundër të akuzuarve, Walker tregoi se çfarë kishte parë me të hyrë në fshat.

“Aty kishim parë kufomat, ku njëri ishte pa kokë, mashkull, i shtrirë në shpinë, me disa ndryshime në kafkën e tij, i cili kishte qenë me veshje fshatari – veshje civile, veshja e tij ishte veshje tipike e një fshatari i cili punon tokën, s’kishte pasur asnjë shenjë që e identifikonte si ushtarak. Shumica e kufomave ishin të moshës së re ose mesatare, të gjithë meshkuj, kishte parë diku 17,18 apo 19 trupa, prej tyre 2-3 të moshës më të vjetër të cilët kishin pasur kapela (plisa)”, thuhet në dëshminë e Walkerit.

Skenat që po i shihte, Walker donte t’i dokumentonte andaj gjatë dëshmisë së tij, tha se u kishte kërkuar verifikuesve të OSBE-së të fotografonin gjithçka.

“Fotografoni sa të keni mundësi dhe sa mundeni, sepse ishte e dukshme se kishte shumë njerëz përreth këtij vendi. Pra, qëllimi ishte që verifikuesit të marrin sa më shumë dëshmi dhe fotografi që është e mundur”, u ka thënë ai hetuesve.

Walker kishte thënë se e cilësoi atë që kishte parë në Reçak si masakër, për shkak të krimeve që serbët i kishin bërë në atë fshat.

Brenda oborrit të shtëpisë së tij, serbët e plagosën edhe Ismet Eminin. E më pas ia vranë edhe vëllain, Ajetin.

Në aktakuzë përdoret dëshmia e Ismet Eminit, i cili rrëfen për torturat e përjetuara atë ditë.

“Së bashku me vëllain Ajetin në oborrin e shtëpisë së tyre papritmas kishin dalë nga mali pjesëtarë serbë me uniforma dhe nga një distancë kishin shtënë në drejtim të tyre dhe kishin qëlluar dëshmitarin në këmbën e majtë, kurse Ajetin e kishin qëlluar në kokë me ç’rast i njëjti kishte ndërruar jetë. Pas kësaj Ismeti e kishte tërhequr Ajetin deri te dyert e oborrit e kishte mbuluar me një batanije dhe kishte vazhduar rrugën ashtu i plagosur deri te shtëpia e fqinjit të tij, Hysniut. Kishte hyrë brenda dhe në shtëpinë e tij e kishte lidhur plagën në këmbën e majtë”, ka thënë në dëshminë e tij Emini.

Mëngjesin e 15 janarit të ‘99-s, Isak Brahimi bënte rojë në pikën e quajtur Kërkovë. Tha se kishte parë tanke serbe që kishin mobilizuar e kishin filluar t’i sulmonin në drejtim të fshatit.

“Është nisur drejt shtëpisë së tij dhe kur ka arritur te shtëpia e Ahmet Zenunit pas odës së shtëpisë, kishte parë trupin e babait të tij të shtrirë në shpinë. Trupi i babait ka pasur plagë në kokë, syrin e kishte të hequr dhe shenja të dhunës fizike”, ka thënë Brahimi në dëshminë e tij.

Gjykimi në mungesë ndaj 21 personave për krime lufte në Reçak, pritet të nisë në korrik të këtij viti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, 21 të pandehurit akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë 42 civilë.